Klosi: Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë, arritje historike

Shqipëria

Klosi: Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë, arritje historike

Më: 4 shkurt 2016 Në ora: 15:00

Tirana është përzgjedhur si vendi ku do të ngrihet Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor e Ballkanit Perëndimor. Vendimi është marrë gjatë takimit të përfaqësuesve të kabineteve të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në mënyrë unanime ranë dakord që selia kryesore (Sekretariati) Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor të vendoset në Tiranë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë takimit që u zhvillua sot, në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve me të rinj që votojnë për herë të parë në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Procesi i Berlinit është një hap i rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe sidomos një hap kyç në fushën e rinisë. Gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, gusht 2014, Kryeministri i Shqipërisë dhe Serbisë, iniciuan idenë e një Zyre Rajonale për Rininë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot, kemi nw duar një vendim historik për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor me seli qendrore në Tiranë”, tha ministri Blendi Klosi.

Duke iu referuar pikërisht këtij vendimi, ai theksoi se përveçse një arritje për vendin tonë, kjo është një përgjegjësi e madhe, sigurisht e përbashkët me rajonin, për të organizuar shkëmbimet rinore me qëllim forcimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve pjesëmarrëse: Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor ka për qëllim pajtimin, forcimin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit rajonal, të përballjes me të shkuarën dhe rritjes së stabilitetit në rajon. Kjo iniciativë është shtyrë përpara me këmbëngulje nga Shqipëria dhe Serbia, duke e konkretizuar në vitin në vazhdim”, u shpreh ministri Klosi.

Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, gusht 2015, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor konkretizuan këtë ide duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor. Kjo deklaratë shënon hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin rinor rajonal. Gjithashtu, ministri Klosi bëri të ditur se Grupi i Punës është duke punuar për finalizimin e kontekstit, vizionit, misionit, strukturës dhe financimin e ZRBR-së deri më datë 1 mars 2016.

Më tej, duke iu përmbajtur temës së takimit, pra Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ai vlerësoi si tepër të rëndësishme punën që duhet kryer me të gjitha ato grepe shoqërore që duan një nxitje apo mbështetje për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes nëpërmjet votës. “Sot u drejtohemi nëpërmjet këtij grupi, të gjithë të rinjve shqiptarë që pjesëmarrja në vendimmarrje, pjesëmarrja në ditën e votimit, hedhja e votës për forcën që ata dëshirojnë, është një gjë shumë e rëndësishme në jetë. Jo vetëm se është hera e parë për ju, por do jetë e rëndësishme gjatë gjithë jetës suaj. Kush nuk merr pjesë, ka jo aq të drejtë të ankohet apo të kritikojë. Por ama të gjithë kemi të drejtën të gjykojmë. Prandaj unë e mbështes shumë këtë iniciativë dhe kërkoj që të kemi një shtrirje mbarëkombëtare të këtij procesi”, u shpreh Klosi.

Ai shtoi se MMSR-ja e ka të mirëtheksuar në Planin e Veprimit dhe në Strategjinë Kombëtare për Rininë punën që duhet të kryejë në drejtim të angazhimit të të rinjve në vendimmarrje. “Do vazhdojmë në mënyrë të palodhur që të kemi mundësi që në çdo cep të Shqipërisë të nxisim dimensionin e vendimmarrjes tek të rinjtë shqiptarë. Ndaj unë do doja që edhe nga kjo foltore, t’u bëja thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë që të marrin pjesë në procesin e votimit, por mos ta lënë procesin e votimit ditën e zgjedhjeve. Të shikojnë emrat e tyre në lista, të shikojnë ku kanë qendrën e tyre të votimit, të marrin pjesë dhe të ndjekin politikën aq sa e kanë të mundur për të pasur një vendimmarrje të drejtë”, deklaroi Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat