Debatet/ Vokshi: Beqaj po ndërton shtëpi në Peruxhia. Vasili kundër Beqajt për shkurtimet në shëndetësi

Shqipëria

Debatet/ Vokshi: Beqaj po ndërton shtëpi në Peruxhia. Vasili kundër Beqajt për shkurtimet në shëndetësi

Nga: Gjergj Koja Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 12:10

Komisioni i Shëndetësisë në Parlamentin shqiptar u përfshi nga debate dhe akuza mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i pranishëm në mbledhjen e komisionit. Shkak për debatet ishte plani i Ministrisë së Shëndetësisë për shkurtimin e personelit në sistemin e shëndetësisë. Përvec deputetëve të opozitës që kundërshtuan shkurtimet, kundër u deklarua edhe kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili i quajti si këmbëngulje kryenece, deklarimet për shkurtime në sektorin shëndetësor.

“Në të gjitha rastet e historive ku administrata ka pasur nevojë shëndetësia nuk është shkurtuar pasi ka qënë gjithmonë me një personel që i përdorur mirë ka qënë nën nivelin e kërkuar. Shkurtimet që kanë ndodhur kanë qënë traumatike sa herë që kanë ndodhur”, tha Vasili.

Kryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, Albana Vokshi, akuzoi ministrin Beqaj se po hedh në rrugë 600 familje, me shkurtimet e vendeve të punës, ndërsa e akuzoi për shpërdorim fondesh.

Deputetja Vokshi tha se ministri po shkel ligjin për të marrë tendera, duke e akuzuar për ndërtimin e një shtëpie për Beqajn në Peruxhia të Italisë. Por përballë kësaj akuze, kanë reaguar kolegët e saj të mazhorancës, që kërkuan nga Vokshi që këto akuza t’i çojë në Prokurori.

Më herët ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj tha se bëhet fjalë për shkurtimin e plot 338 vendeve të punës në shërbimin spitalor në rang vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat