Miratohet në parim pr/buxheti për Ministrinë e Brendshme/Tahiri: Siguria mall që kushton

Shqipëria

Miratohet në parim pr/buxheti për Ministrinë e Brendshme/Tahiri: Siguria mall që kushton

Nga: Gjergj Koja Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 17:04

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në parim projektbuxhetin për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2016, ndërsa nuk munguan as replikat mes ministrit Sajmir Tahiri dhe deputetëve të opozitës.

Ministri i Brendshëm tha para deputetëve se siguria është një mall që kushton dhe përmendi se me buxhetin e kaluar iu dha një pagë e 13-të punonjësve të policisë, duke iu rritur pagën me 25 %.Në buxhetin e MPB për 2016, investimet e parashikuara krahasuar me planin e vitit 2015, janë 60 % më shumë. Ministri evidentoi se në hartimin e projektbuxhetit është marrë parasysh fakti i domosdoshmërisë për investime në kapacitetin teknologjik të Policisë së Shtetit.

“Ne besojmë shumë se lufta kundër krimit nuk është çështje muskujsh, por mbi të gjitha është çështje mëndjeje, çështje vullneti dhe çështje kapaciteti”, tha Tahiri.

Por gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm nuk ka kursyer akuzat në drejtim të ish-Qeverisë Berisha, cka ka sjellë reagimin e opozitës. Tahiri tha se opozita e sotme kur ishte në qeverisjen e vendit la Rezervat e Shtetit bosh, ndërsa sot veshin çizmet pas çdo shiu që bie dhe bëjnë politikë në zonat që prek uji.

“Nuk dua përsëri këtu të bezdis kërkënd duke përsëritur derexhenë në të cilën e gjetëm qoftë Rezervat e Shtetit për nga mungesa totale e kapacitetit për të përballuar çdo lloj emergjence, edhe fasulet ishin zhdukur. Nuk kisha fare ndërmend të thoja që i hëngri zotëria apo përfunduan në duart jo të duhura fasulet. Thashë vetëm që mungonin dhe po kështu emergjencat civile dhe kapacitet për të përballuar emergjencat civile, sikur të kishte fatkeqësi natyrore”, u shpreh Tahiri duke iu drejtuar deputetit Noka, ish-ministër i Brendshëm.

Me propozim të deputetit socialist Paulin Stërkaj u ra dakord që Komisioni t’i propozojë qeverisë një kërkesë për rritje page edhe për Gardën e Republikës.

Tahiri pranoi se në buxhetin e 2016 nuk ishte e mundur të parashikohej blerja e armëve të reja për gjithë policinë, i pyetur nga deputeti Arben Çuko, i cili mendon se dalja e efektivëve me kallash në rrugë pas alarmit për akte terrori, është e tepërt.

Por Stërkaj nuk e kurseu batutën për kolegun e majtë, duke i thënë se për terroristët, kallashnikovi është arma e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat