Komisionet vijojnë diskutimet për pr/buxhetin e 2016/Të majtët dhe ministrat të pakënaqur me fondet

Shqipëria

Komisionet vijojnë diskutimet për pr/buxhetin e 2016/Të majtët dhe ministrat të pakënaqur me fondet

Nga: Gjergj Koja Më: 24 nëntor 2015 Në ora: 14:39

Komisionet parlamentare kanë nisur diskutimin e pr/buxhetit për vitin 2016, ndërsa përveç kritikave të opozitës, drafti i Qeverisë po kritokohet edhe nga deputetë të mazhorancës, madje edhe nga ministrat që kërkojnë më shumë fonde për dikasteret që drejtojnë. Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ishte i pranishëm ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili veç akuzave të opozitës ka marrë kritika edhe nga kolegët e tij të mazhorancës. Kështu kreu i Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erjon Brace i ka kërkuar kreut të financave publike më shumë përgjegjësi nga administrata fiskale. Braçe vlerësoi parashikimet  por kërkoi që administrat doganore të vihet në punë për ta realizuar, duke marrë shkas nga mosrealzimet e thella të këtij viti, krahasuar me planin.

“Nuk mund të pranojë askush këtu apo jashtë kësaj salle që të mbyllet njëri sy apo të bëhet sikur jemi mirë në momentin që administrate nis të mos bëjë detyrën e saj dhe ta dështojë këtë buxhet.  Administrata fiskale zoti ministër, është e para. Doganat janë të parat ato që duhet të ndërgjegjësohen e të vihen në punë”, u shpreh kreu i Komisionit të Ekonomisë. Ndërkohë opozita akuzoi qeverinë se ka ulur investimet ndërkohë që ka rriutr fondet për kryeministrinë. Por për maxhorancën rritja e fondeve për kryeministrinë lidhet me shtimin e disa angjesive.

“Keni ulur shpenzimet në total, për investimet por për kryeministrin e keni rritur 300%”, iu drejtua deputeti demokrat Sherefedin Shehu, ministrit të Financave. Por në përgjigje të kolegut të opozitës ka reaguar deputeti Brace, i cili është shprehur se fondet janë të për të gjitha agjencitë brenda dhe jo për Kryeministrin Pavarësisht se në buxhet nuk është parashikuar rritje e pagave dhe e pensioneve kreu i Financave deklaroi se për disa sektorë do të ketë rritje, por pa i specifikuar ato. “Për sektorë të caktuar dhe mbi bazën e një sistemi që shpërblen performancën”, sqaroi Cani.

Një tjetër komision që ka trajtuar çështjet e buxhetit për disa institucione ishte dhe ai i Ligjeve, ku ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe ai për Cështjet Vendore Bled Çuçi ishin të kënaqur me buxhetin. Por jo vetëm kaq, vërejtje për buxhetin përsa i takon alokimit të fondeve për emergjencat kanë shprehur edhe deputetë të majtë. Kërkesa për më shumë fonde me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në burgje dhe zgjedhjet janë kërkuar përkatësisht edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe KQZ.

Deputeti socialist Bashkim Fino kërkoi më shumë fonde për emergjencat civile. “Këto fonde që ka sot Ministri i Brendshëm duhet t’i kishin automatikisht 61 kryetarët e bashkive të ndara dhe të ishin atje fond emergjence pa të drejtë t’i ngacmonin ato për asgjë tjetër dhe ishalla mos i përdorshin për vitin 2016. Fondet e mëdha pastaj të ishin një strukturë e posaçme pranë Ministrisë së Brendshme me helikopterë me zjarrëfikse dhe më i specializuar që ndërhynte me fonde më të mëdha”, tha Fino.

Ministri i Brendshëm pranon se fatkeqësistë natyrore janë problem por thotë se në 25 vite e gjithë infrastruktura mbrojtëse është shkatërruar. “Askush nuk ndërton në botë në mes të shtratit të lumit dhe pastaj ne jemi të detyruar t’i përgjigjemi një krizë që më së shumti është humanitare pastaj është çështje emergjencash sepse do shpëtojmë në të gjtiha rastet jetën e qytetarëve”, tha Tahiri.

Fonde shtesë para Komsionit të Ligjeve kërkoi dhe Ministria e Drejtësisë. Zëvendës Ministri Arben Isaraj, u përqëndrua kryesisht tek sistemi i burgjeve deri edhe tek veshja e gardianeve.

“Është për të qeshur por Policia e Burgjeve shpesh herë është furnizuar me pajisje, uniforma nga Policia e Shtetit dhe situata është aq e rëndë sa që është e vështirë dhe për tu identifikuar tashmë punonjësi i Policisë së Burgjeve me banorët e burgjeve”, tha zv.ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj.

Në Komisionin e Ligjeve u diskutua dhe buxheti për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Ministrin e Pushtetit Vendor. Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi kërkoi rreth 36 milionë lekë shtesë, për të përmirësuar strukturën e institucionit por dhe për mallra e shpenzime operative.

I vetmi institucion i cili ishte i kënaqur me buxhetin, ishte Ministria e Pushtetit Vendor që për vitin 2016 i janë dyfishuar fondet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat