Dëbimi i romëve, Totozani kundër Veliajt

Shqipëria

Dëbimi i romëve, Totozani kundër Veliajt

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 18:30

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka dalë në mbrojtje të familjeve rome që ndodhen në zonën e Liqenit Artificial, të cilat me urdhër të Bashkisë së Tiranës, duhet të braktisin barakat, brenda pak ditëve. Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të pezullojë vendimin për zhvendosjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë, ndërsa theksohet se transferimi i familjeve të këtij komuniteti në mënyrë të vazhdueshme nga një zonë në tjetrën është bërë në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut. “Zhvendosja aktuale e komunitetit rom / egjiptian po kryhet në mungesë të një komunikimi dhe konsultimi midis Bashkisë Tiranë dhe komunitetit të prekur, lidhur me përcaktimin e zgjidhjeve, ne besojmë se në këto kushte mungon informacioni i plotë mbi çfarë i pret këta qytetarë dhe kjo situatë rrezikon të rëndojë më tej gjendjen e tyre të vështirë, duke krijuar një tjetër problem edhe më të mprehtë social”, theksohet në njoftimin e Avokatit të Popullit. Përpos kësaj, theksohet se Bashkia e Tiranës nuk ka një plan të mirëmenduar për lëvizjen e tyre, përderisa do t’u sigurojë strehim vetëm familjeve që janë nga Tirana, ndërsa atyre të mbërritur nga rrethet e vendit, që në këtë rast përbëjnë edhe pjesën më të madhe të banorëve në këtë zonë, u ka mbetur të enden sërish rrugëve. “Nga informacioni që kemi deri më sot, Bashkia Tiranë nuk ka një plan të mirëmenduar, të mbështetur në një njohje të plotë të tipologjisë së komunitetit, gjendjes së secilës prej familjeve, qoftë në aspektin e aksesit për një strehë të sigurt, aksesit në skemat e mbrojtjes sociale, gjendjen e tyre ekonomike dhe të pasojave që do të vuajë secila prej tyre, në rast zhvendosjeje nga zona e Liqenit Artificial, të Tiranës. Ne gjykojmë se, zhvendosja e këtij komuniteti nuk po kryhet në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të dëbimeve të detyrueshme. Ajo nuk respekton akte të rëndësishëm të OKB-së, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, sqarohet në njoftim. Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkon Bashkisë së Tiranës që të konsultohet me familjet, para se të marrë një vendim final, si dhe të hartojë një plan për zhvendosjen e familjeve rome dhe egjiptiane nga zona e Liqenit Artificial. “Ne ftojmë Bashkinë e Tiranës që të reflektojë sa më shpejt mbi këtë çështje, si dhe kërkojmë që ky institucion të pezullojë veprimet për zhvendosjen e komunitetit të sipërcituar, të ndërtojë një proces konsultues me familjet dhe të angazhohet për hartimin e një plani afatshkurtër e afatgjatë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në respekt të interesave të ligjshme të komunitetit dhe të të drejtave të tyre”, sqarohet në kërkesën e tyre.

Pas vendimit të bërë publik nga Bashkia e Tiranës lidhur me dëbimin e 50 familjeve rome, që prej 20 vitesh kanë ngritur kasolle në zonën e Liqenit Artificial rrëfyen për gazetën “Shqip” se ndihen të diskriminuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës do të strehojë në qendrën e emergjencave vetëm tre familjet rome që janë nga Tirana, ndërsa për 47 të tjerat, që janë nga rrethet, nuk ofron asnjë zgjidhje. “Pse ne romët që jemi nga Elbasani jemi ndryshe? Çfarë kemi ne ndryshe? Ne kemi 23 vjet në Tiranë, fëmijët kanë lindur këtu. Çfarë duhet për të qenë nga Tirana? S’kemi ku mbytemi jo! S’do ikim në asnjë vend! Ku do të hamë ne, ku? Po ikëm në Elbasan do të vdesim”, është shprehur një prej banoreve, Enkeleda Nuredini, nënë e tre fëmijëve të pashkollë, që po ashtu rrëmojnë kazanëve për 2 lekë më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat