U akuzua për 16 leje ndërtimi tek “Shkëmbi i Kavajës”, i pafajshëm ish-kreu i komunës Rrashbull

Shqipëria

U akuzua për 16 leje ndërtimi tek “Shkëmbi i Kavajës”, i pafajshëm ish-kreu i komunës Rrashbull

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 11:39

Gjykata e Durrësit shpalli të pafajshëm ish-kryetarin e Komunës Rrashbull, Durrës, shtetasin Hysen Gashi, i akuzuar për dhënien e të paktën 16 lejeve të ndërtimit në kundërshtim të plotë me ligjin në zonën turistike bregdetare të “Shkëmbit të Kavajës”.

Për Gashin Prokuroria e Durrësit kërkoi 5 vjet burgim ndërsa gjatë procesit gjyqësor kërkoi përjashtimin e gjyqtares, Shpëtime Pitaku pasi për prokurorinë, gjyqtarja kishte paraqitur njëanshmëri gjatë procesit”

Në këtë proces, së bashku me të pandehurin Gashi, ishin konsideruar përgjegjës edhe 5 ish-zyrtarë të Komunës Rrashbull, për të cilët, pas një shqyrtimi gjyqësor me procedurë të shkurtuar, ata u shpallën fajtorë nga gjykata e Durrësit.

Procesi ndaj ish-kryetarit Gashi u zhvillua me procedurë të rregullt dhe seancat u drejtuan nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku.

Prokuroria kërkoi përjashtimin e Pitakut- Në përfundim të procesit, gjyqtarja Pitaku shpalli të pafajshëm ish-kryetarin Gashi për të njëjtat fakte dhe akuza, për të cilët gjykata e Durrësit shpalli fajtorë 5 bashkë të pandehurit e tjerë.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit Gashi, Prokuroria e Durrësit kishte bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Pitaku, pasi, për prokurorinë, gjyqtarja kishte paraqitur njëanshmëri gjatë procesit” informon prokuroria.

Kjo kërkesë u rrëzua nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Durrësit dhe procesi ndaj të pandehurit Gashi vijoi nga gjyqtarja Pitaku.

Argumentet pse prokuroria kërkoi largimin e gjyqtares- Në kërkesën për përjashtimin e gjyqtares, Prokuroria e Durrësit, ndër të tjera, kishte parashtruar se:

“Në seancën e datës 14.05.2015 ishte kërkuar nga organi i akuzës që të merrej si provë dhe pyetja e të pandehurit Hysen Gashi. Në këtë seancë është filluar me pyetjen e të pandehurit nga përfaqësuesi i organit të akuzës, i cili kishte kërkuar dhe pyetjen dhe më pas i janë drejtuar dhe dy pyetje nga gjykata, si më poshtë:

1. Nëse nuk firmos ti, ndërsa të gjithë anëtarët e tjerë janë dakort, miratohet leja?

2. Kur janë bërë mbledhjet që ke dhënë miratimin e lejeve, ju kanë thënë se ka qenë leje në kundërshtim me ligjin?

Të dy këto pyetje të drejtuara nga ana e gjyqtares janë të njëanshme dhe në kundërshtim me rregullat procedurale. Pyetjet e drejtuara nga gjykata janë pyetje konkluduese dhe vlerësime personale të pandehurit, të cilat kanë si qëllim favorizimin e tij në lidhje me qëndrimet që duhet të mbante ndaj fakteve për të cilën është akuzuar. Shkelja e ligjit është një konkluzion që del nga provat që administrohen në një proces gjyqësor dhe nuk mund dal nga vlerësimi që i bën i pandehuri, fakteve objekt akuze”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat