Boci: Qëndrimi i Tahirit në postin e ministrit të Brendshëm, provokim i padurueshëm

Shqipëria

Boci: Qëndrimi i Tahirit në postin e ministrit të Brendshëm, provokim i padurueshëm

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 15:08

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, ndërsa i ka bërë thirrje për të disatën herë të dorëhiqet dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë në lidhje me akuzat për trafikun e drogës.

“Prej 35 ditësh, Saimir Tahiri është nën akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës, nën akuzën e bashkëpunimit e krijimit të lehtësive për bandën e narkotikëve në Vlorë. Kemi një ministër të brendshëm që jo vetëm ka humbur legjitimitetin, por që po bëhet barrë e papërballueshme për vendin, pasi skandali i tij është ndërkombëtarizuar. Sikur të mos mjaftojnë provat e dëshmitë e oficerit Zagani, për lidhjet e Tahirit me grupet e narkotrafikut që ai vëzhgonte kur ishte në detyrë, çdo ditë dalin lidhje të tjera, fakte të reja të kapjes, inkriminimit të policisë, nën drejtimin e Tahirit”, tha deputeti Luciaono Boci.

Në vijim ai shtoi se Shefi i kufirit të Dhërmiut, ai që e ka për detyrë të ruajë territorin ku magazinohet e transportohet droga për në Itali, shfaqet në lidhje shumë të ngushtë me Habilajt, me kushërinjtë e ministrit.

“Pra Tahiri jo vetëm u ka dhënë makinën e tij, u ka dhënë garanci e mbrojtje, por ka vënë pikat kyce të policisë në shërbim të plotë të bandës. Teksa punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit luftojnë me krimin, sakrifikojnë dhe jetën, ministri i tyre bën pazare me krimin, u krijon lehtësi bandave, është pjesë e tyre. Ky inkriminim zmadhohet çdo ditë, sa më shumë qendron në detyrë Saimir Tahiri. Qëndrimi në detyrë i Tahirit, një orë më shumë, është një provokim i padurueshëm që i bëhet qytetarëve të vendit, është nxitje e krimit e trafikut të drogës. Kjo duhet të marrë fund. Saimir Tahiri duhet të largohet nga detyra, e të hetohet për përfshirjen e tij në trafikun e drogës”, tha Boci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat