Skenarët për ndryshimet në Qeveri/ A mund ta përballojë Rama presionin Meta?

Shqipëria

Skenarët për ndryshimet në Qeveri/ A mund ta përballojë Rama presionin Meta?

Nga: Gjergj Koja Më: 6 tetor 2015 Në ora: 11:39

Ndërsa Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë në qëndrimin e tij për të mos ndryshuar kabinetin qeveritar, aleati i tij kryesor Ilir Meta po kaq i prerë ka folur për nevojën e impulseve të reja në Qeveri. Në një situatë të tillë duket se dy drejtuesit e koalicionit qeveritar janë pozicionuar në drejtime të kundërta, ndërsa duket se loja e nisur fillimisht nga opozita që kërkonte largimin e Sajmir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm, i ka hapur oreksin LSI për të mbështetur jopublikisht jo vetëm largimin e Tahirit, por edhe të paktën 4 ministrave të tjerë socialistë. Burime nga mazhoranca raportojnë se në takimin e zhvilluar të shtunën pasdite mes Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit, Ilir Meta ka shfaqur kritika në drejtim të 5 ministrave: Sajmir Tahirit, Ilir Beqajt, Damian Gjiknurit, Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt. Të pesë ministrat që duket se kanë vendosur raportet Rama-Meta në “ngrirje” konsiderohen ndër njerëzit më të besuar të Edi Ramës jo vetëm në qeverisje, por edhe në Partinë Socialiste. Burimet shprehen se ndaj Tahirit ka kritika në lidhje me operacionet e ndërmarra nga Policia e Shtetit ndaj disa prej të emëruarve në poste të rëndësishme të administratës së shtetit nga LSI. Gjiknuri është përfshirë në listën e ministrave që duhen ndryshuar pas publikimit të dosjes së CEZ dhe debatit ku u përfshi në një sërë akuzash kreu i Kuvendit Ilir Meta. Për ministrat Beqaj, Ahmetaj dhe Cani, LSI ka shfaqur kritika të herëpashershme përsa i takon performacës së dobët të treguar në fushën e shëndetësisë, mbledhjen e të ardhurave , apo përkeqësimit të situatës ekonomike në vend.
Pas deklarimeve publike të Kreut të LSI-së Ilir Meta, duket se Edi Rama ndodhet nën presionin nga njëra anë të aleatit të tij dhe nga ana tjetër nën presionin e vetë deputetëve socialistë, të cilët nuk do të mund të pranonin faktin e diktimit të emrave të ministrave nga aleatët, qoftë ky edhe Ilir Meta. Nëse Rama do të pranonte ndryshimin e ministrave, në kushte të tilla, atëherë aim und të rrezikonte prishjen e balancave jo vetëm brenda partisë, por edhe Grupit Parlamentar socialist. Të pestë anëtarët e kabinetit nëse largohen nga detyrat qeveritare, mbeten edhe jashtë cdo strukture parlamentare, për faktin se kanë dorëzuar mandatet e deputetëve në momentin që janë emëruar në postet qeverisëse. Burime nga Partia Socialiste shprehen se strategjia e zgjedhur nga Rama për të mohuar ndryshimet në Qeveri ndoshta ka të bëjë me ariitjen e një kompromisi me aleatin kryesor në qeverisje, për të mos larguar në grup 5 ministra socialistë. Po kështu mësohet se Rama nuk do të pranojë që në rast ndryshimi të kabinetit qeveritar ndonjë nga postet që mbahen nga Partia Socialiste t’I kalojnë LSI-së, madje do të synohet që posti i ministrit të Drejtësisë, që sot mbahet nga Nasip Naco, të drejtohet nga një emër që do të propozohet nga Partia Socialiste. Në shkëmbim të këtij posti, LSI mund t’I ofrohet një pozicion në rang zv.Kryeministri, por pa një ministri. Nëse kjo skemë vihet në funksionim qeveria e re Rama-Meta, pritet të ketë dy zv.Kryeministra, ndërsa LSI do ti mungojë një portofol ministror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat