Shefi i Komisariatit të Kurbinit: Armando Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës. Ja 3 akuzat e ngritura

Shqipëria

Shefi i Komisariatit të Kurbinit: Armando Prenga u arrestua në kushtet e flagrancës. Ja 3 akuzat e ngritura

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 17:14

Komisariati i Policisë së Kurbinit bëri të ditur se deputeti Armando Prenga është arrestuar nga policia në kushtet e flagrancës pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar i përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në këtë qytet, ku mbetën të plagosur 7 persona.

Sipas Shefit të Komisariatit në Kurbin, Nik Nikollaj, arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”.

“Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i shtetasve Anton Leka dhe Gazmir Jushi”, tha kreu i policisë lokale.

Sipas tij, në pranga janë vënë gjithashtu shtetasit:

- Gjokë Cali, për vepren penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”
- Nikollë Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”
- Gjergj Cali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”.

“Theksojmë se vendi i ngjarjes, ku ka ndodhur konflikti mes personave të arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ndodhet jashtë ambjenteve të Komisariatit të Kurbinit.

Vendi i ngjarjes është i administruar me prova shkencore, përfshirë materiale filmike dhe fotografike, të referuara në Prokurori.
Policia lokale dhe më pas strukturat e tjera të Policisë së Shtetit vepruan menjëherë me marrjen e njoftimit konform procedurave standarde, në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje.

Aktualisht vijon egzaminimi shkencor më i specializuar i provave të gjetura në vendngjarje apo nga kontrollet në banesa, nën ndjekjen dhe drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se do të vazhdojë të kryejë me profesionalizëm dhe përkushtim detyrën, duke garantuar se askush, pavarësisht statusit, nuk është i paprekshëm përballë ligjit”, theksoi kreu i policisë së Kurbinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat