Arrestohet deputeti i PS, i gjenden gjurmë baruti në duar

Shqipëria

Arrestohet deputeti i PS, i gjenden gjurmë baruti në duar

Më: 5 shtator 2015 Në ora: 12:46

Pas raportimeve se deputeti i PS, Armando Prenga është përfshirë në një sherr të armatosur në qytetin e Laçit, Prenga është vënë në prangat e policisë.

Deri më tani raportohet se Prenga është arrestuar pasi ka dhunuar së paku dy persona, të quajtur Tom dhe Nikoll Cali.

Raportohet se përplasja ka ardhur pas një sherri për një pronë në Lagunën e Patokut mes familjeve Prenga dhe Cali.

Deputeti ka shkuar në lokalin e familjes Cali dhe ka goditur një prej tyre me qytën e pistoletës.

Anëtarët e familjes Cali janë drejtuar për në Komisariatin e qytetit, ku sherri ka vijuar në mënyrë akoma më të dhunshme.

Personat janë goditur me armë zjarri dhe armë të ftohta.

Si pasojë kanë mbetur të plagosur së paku shtatë persona.

Sipas News24, deputeti i PS mund të akuzohet për kanosje serioze, plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ky televizion raporton se pas ekspertizës është zbuluar se Prenga ka gjurmë baruti në duar, duke forcuar dyshimet se ai ka qëlluar me pistoletë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja.

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se në Policinë e Tiranës, Prenga po ushëzohet që të deklarojë se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes, për të shpëtuar nga drejtësia.

Nga ana tjetër, policia ka vënë në dijeni prokurorinë për arrestimin e deputetit Armando Prenga, ndërkohë që pritet që kryeprokuori të vërë në dijeni menjëherë kreun e Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, deputeti mund të ndalohet ose arrestohet pa autorizimin e Kuvendit kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi.

Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

Neni 119 i Rregullores së Kuvendit shtjellon më tej nenin kushtetues, kur pas njoftimit të menjëhershëm nga kryeprokurori, kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin e Rregullores dhe kërkon shqyrtimin e çështjes.

Brenda dy ditëve këshilli shqyrton nëse ka vend për procedim, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjitshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar.

Këshilli paraqet raportin për seancën plenare, e cila thirret brenda dy ditësh nga kryeparlamentari.

Me votim të fshehtë, seanca vendos heqjen ose mosheqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit.

Të plagosur kanë mbetur sipas policisë:

1.Eduart Prenga, plagosur me mjete të forta, 37 vjeç;

2.Gazmir Jushi, 29 vjeç, plagosur me mjete prerëse;

3.Nikoll Cali, 53 vjeç, plagosur me mjete të forta;

4.Gjoke Cali,57 vjeç, plagosur me mjete të forta;

5.Gjergj Cali, 55 vjeç, plagosur me mjete të forta;

6 .Tom Cali, 66 vjeç, plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut;

7. Francesk Cali 30 vjeç, plagosur me mjete të forta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat