Basha mbledh Kryesinë e vogël. PD ndryshon strategjinë në Kuvend, kopjon stilin e Berishës. Paloka: Do mbrojmë interesat e qytetarëve

Shqipëria

Basha mbledh Kryesinë e vogël. PD ndryshon strategjinë në Kuvend, kopjon stilin e Berishës. Paloka: Do mbrojmë interesat e qytetarëve

Nga: Gjergj Koja Më: 31 gusht 2015 Në ora: 17:36

Partia Demokratike në sesionin e ri parlamentar do të ndryshojë strategjinë në luftën politike kundër Qeverisë. Kreu demokrat Lulzim Basha ka zhvilluar një mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar demokrat, ku është diskutuar mbi strategjinë e re që do të ndjekë partia më e madhe e opozitës kundër Qeverisë. Mbledhja e cila ka zgjatur për rreth një orë, e zhvilluar me dyer të mbyllura, ka konkluduar në ndryshimin e strategjisë opozitare brenda sallës së Kuvendit, ku cdo deputet do të mbrojë interesat e qytetarëve përballë cdo ligji apo reforme që paraqet Qeveria për miratim.

Burime nga PD konfirmojnë se në mbledhje, Basha i ka kërkuar ligjvënësve demokratë që të përcjellin në sallën e Parlamentit zërin e qytetarëve, por edhe gjejtjet apo të dhënat që grumbullojnë Departamentet apo degët e PD-së në rrethe mbi pasojat që krijohen si pasojë e ligjeve apo reformave që miratohen me forcën e kartonit. Në këtë kuadër, Basha mësohet të ketë kërkuar nga deputetët shtimin e kontakteve me qytetarët, diskutimin e problemeve me ta, dhe denoncimin në sallën e Kuvendit të cdo ankese që i drejtohet nga qytetarë të ndryshëm, pavarësisht problemit që ngrihet.

Në këtë aspekt duket se i gjithë Grupi Parlamentar i PD-së do të veprojë sikundër herë pas here në seancat parlamentare, ish-Kryeministri Sali Berisha denoncon Qeverinë apo struktura të saj, duke iu referuar denoncimeve që i shkojnë nga qytetarët e ndryshëm. Basha gjithashtu ka kërkuar nga deputetët të jenë më aktivë në Kuvend, duke paraqitur shifra dhe fakte mbi shqiptarët që sot lënë Shqipërinë në kërkim në të azili në Gjermani apo në vendet e tjera të BE-së. Burimet theksojnë se në këtë aspekt kreu demokrat ka kërkuar që me nisjen e sesionit të ri parlamentar të kërkohen interpelanca në Kuvend me ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin përsa i takon azilkërkuesve, pasi tezat e qeverisë se pjesa më e madhe e shqiptarëve që kërkojnë azil janë resident në një nga vendet e BE-së, kryesisht Greqi, është qesharake.

Por jo vetëm kaq, në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar, gjithashtu është diskutuar mbi qëndrimet që do të mbajë opozita në lidhje me reformën për drejtësinë apo dekriminalizimin, për të cilat është vendosur që mos të trajtohen si një paketë e vetme, por të ndara. Mësohet se kreu demokrat ka kërkuar nga deputetët e PD që të përshpejtojnë procesin në lidhje me dekriminalizimin, duke e cilësuar këtë si prioritar për Partinë Demokratike.
Përsa i takon reformës në drejtësi, mësohet se Kreu i PD-së ka kërkuar që deputetët demokratë, pjesë e komisionit parlamentar për këtë reformë, të paraqesin të gjitha propozimet e ekspertëve dhe opozitës, por të mos bëhen fasadë në këtë proces, nëse mazhoranca nuk i merr parasysh këto propozime.

Po kështu është kërkuar që në sallën e Kuvendit, por edhe gjatë punimeve të Komisioneve, të denoncohen politikat ekonomike të Qeverisë që po varfërojnë, sipas PD-së, qytetarët shqiptarë, po godasin biznesin e ndershëm, dhe po i hapin rrugën oligopoleve dhe korrupsionit. Në këtë kuadër, Basha ka kërkuar një bashkëpunim dhe bashkërendim të denoncimeve mes Grupit Parlamentar dhe Departamenteve në PD, në mënyrë që denoncimet që bëhen përmes konferencave për shtyp të mos mbeten vec të tilla, por të përcillen edhe në sallën e Kuvendit.

Ndërkohë Kreu i Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka konfirmon se në sesionin e ri parlamentar opozita do të luftojë për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë dhe kjo sipas tij do të bëhet duke kundërshtuar cdo inisiativë të Qeverisë që dëmton qytetarët. “Çdo e ashtuquajtura reformë që bën kjo maxhorancë rezulton me pasoja për qytetarët e Shqipërisë. Kështu që ne absolutisht në çdo moment siç kemi bërë edhe gjatë verës do të jemi në roje të interesave të qytetarëve; do të kundërshtojmë me forcë çdo iniciativë të kësaj qeverie që dëmton qytetarët e këtij vendi”, thekson Paloka.
Sipas tij, rritja e numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian është një prej treguesve të keqqeverisjes dhe është një prej argumenteve, pse ky koalicion duhet të lërë drejtimin e vendit. Paloka këmbëngul se papunësia e korrupsioni janë arsyet e ikjes të qytetarëve nga Shqipëria, duke hedhur poshtë tezen se shumica e azilkërkuesve shqiptare nisen nga Greqia. “Kjo është nja nga ato karagjozllëqet e zakonshme te kryeministrit, unë mendoj se më mirë sesa e kanë thëne dy nga gazetat më të mëdha gjermane arsyet sepse po ikin shqiptarët nga Shqipëria nuk i themi dot as ne; arsyet janë korrupsioni, ekonomia, papunësia dhe një qeveri që nuk ngjall më asnjë shpresë të keta qytetarë. Derisa këto arsye të vazhdojnë të ekzistojnë shqiptaret do të vazhdojnë të kërkojnë të ikin me apo pa viza, në rruge ligjore apo joligjore, prandaj zgjidhja si për ne, si për Europen sot është vetëm një, largimi i kësaj qeverie, i atyre qe e drejtojnë ketë vend ne mënyrën me te keqe te mundshme”, theksoi kreu i deputetëve demokratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat