Raporti i fshehtë i Tatimeve: Evazioni fiskal mbi 35%

Shqipëria

Raporti i fshehtë i Tatimeve: Evazioni fiskal mbi 35%

Më: 5 gusht 2015 Në ora: 13:08

Në kuadër të implementimit të një strategjie për uljen e informalitetit në ekonomi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një relacion drejtuar Ministrisë së Financave ka raportuar për hapësirën e evazionit dhe fushat ku po zhvillohet më së shumti informaliteti.

Në materialin që siguroi Monitor, tatimet raportojnë se, një nga problemet më delikate dhe serioze, me të cilin përballet vazhdimisht çdo administratë, është evazioni dhe mashtrimi fiskal.

Tatimet shpjegojnë se, evazioni fiskal është i vështirë për tu matur.

Por pavarësisht shifrave, e sigurte dhe e pamohueshme është që në vendin tona ai mbetet i lartë dhe sipas disa vlerësimeve në Shqipëri ai e kalon nivelin 30-35 për qind, referojnë Tatimet.

Më tej, institucioni taksambledhës raporton në Financa se, shprehje e qartë për këtë situatë është ngarkesa fiskale (raporti i të ardhurave tatimore ndaj GDP-së) tepër e ulët në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera.

Ky tregues, për vendet e OECD-së është rreth 35-38 përqind, ndrësa në Shqipëri 24%.

“Boshllëku jonë prej disa pikë përqindje lidhet ndër të tjera edhe me sektorin relativisht të madh bujqësor, sektor i cili zakonisht pozon vështirësi serioze për sistemet tatimore në vendet në zhvillim. Megjithatë, edhe pas korrigjimit të madhësisë së sektorit bujqësor, boshllëku i të ardhurave tatimore në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera mbetet i rëndësishëm”, raportojnë më tej Tatimet.

Tatimet: Tre tatimet me evazionin më të lartë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në materalin për madhësinë e ekonomisë infornmale pohon se, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi pasurinë janë tre faktorët më të spikatur që cojnë në boshllëkun tatimor të vendit tonë në krahasim me vendet e tjera.

Domethënës është sidomos fakti lidhur me mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku vendi ynë arrin të sigurojë cdo vit vetëm mesatarisht 4 përqind të ardhura ndaj GDP-së, ndërkohë që në vendet e tjera sigurohen shumë më tepër në mbi 8%.

Pra vetëm në këtë zë të ardhurash vendi ynë është disa pikë perqindje më poshtë dhe diferenca tjetër është në tatimin mbi pasurinë dhe në tatimin mbi të ardhurat personale.

Kjo do të thotë në mënyrë shumë evidente se, evazioni më i rëndësishëm tatimor është pikërisht në këto lloj të ardhurash, pa anashkaluar llojet e tjera të të ardhurave tatimore ku gjithashtu ka evazion domethënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat