Kuvend- Shqyrtohet projektligji për turizmin

Shqipëria

Kuvend- Shqyrtohet projektligji për turizmin

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 19:16

Kuvendi po zhvillon seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar që do të rinisë të hënën e parë të shtatorit. Në këtë seancë shqyrtohet projektligji për turizmin.

Mazhoranca, thekson se përmes këtij projektligji Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori.

“Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvilllimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, tha në fjalën e tij deputeti socialist, Bashkim Fino.

Sipas Finos, ligji do të mundësojë nisjen e klasifikimit, standardizimit dhe dhënien e licencave për operatorët dhe agjencitë turistike, proces ky që do të kryhet nga ministria përkatëse me ndihmën dhe bashkëpunimin e agjencive ndërkombëtare që punojnë me këtë sektor.

Opozita kundërshton projektligjin dhe këtë e ka njoftuar edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i cili shqyrtoi javën e kaluar propozimin e mazhorancës. Sipas Partisë Demokratike, ligji ka koncepte të gabuara, por dhe një përqendrim të tepruar të kompetencave në një ministri të vetme.

Ligji i ri ‘për turizmin’ që synon të rrisë numrin e turistëve dhe të investimeve në turizëm parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese, sipas yjeve. Sipas përfaqësuesve të qeverisë ky proces mund të kryhet me asistencën e një kompanie të huaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat