“Gjika” fut në sherr prokurorinë me gjykatën e Vlorës

Shqipëria

“Gjika” fut në sherr prokurorinë me gjykatën e Vlorës

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 08:25

Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika fut në sherr Prokurorinë dhe Gjykatën e Faktit në Vlorë. Institucioni i akuzës ka kërkuar përjashtimin e dy gjyqtarëve, Anastasi Shehu dhe Laurent Fuçia, pasi pretendohet se mund të jenë të njëanshëm.

Dyshimet e akuzës janë ngritur pas dorëheqjes së Skënder Halucit nga trupa gjyqësore që do të gjykonte Gjikën këtë të martë, ku largimi i Halucit ka sjellë dhe dështimin e seancës së parë të këtij procesi.

Në argumentet e saj për largimin e 2 gjyqtarëve të mbetur në trupën gjyqësore, prokuroria rendit faktin se në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe në cilësinë e ish-kryetarit të këtij trupi gjykues (kjo për efekt të ligjit), duke pranuar interesin në zgjidhjen e çështjes, ka ndikuar apo mund të ndikojë mbi dy anëtarët e trupit gjykues, duke cenuar parimin e besueshmërisë në dhënien e drejtësisë.

Tashmë, pas kërkesës së Prokurorisë për zëvendësimin e dy gjyqtarëve të mbetur në procesin ‘Gjika’ me një trupë të re gjyqësore do të shqyrtohet ditën e sotme. “Rezulton se gjatë kohës nga seanca gjyqësore e datës 17/06/2015, deri në seancën gjyqësore të datës 07/07/2015, një nga anëtarët e trupit gjykues ka hequr dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje penale. Konkretisht ka hequr dore gjyqtari z. Skënder Haluci, i cili ushtron edhe detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Duke qenë në këtë cilësi, heqja dorë nga gjykimi i kësaj çështjeje penale është miratuar nga kryetari i Gjykatës së Apelit Vlorë. Nga motivacioni i përdorur në deklaratën e heqjes dorë, rezulton se gjyqtari ka pranuar njohjen dhe marrëdhënien me një nga të pandehurit në këtë çështje penale, e konkretisht me të pandehurin Shpëtim Gjika.

Pra provohet se anëtari i trupit gjykues që ka hequr dorë, ka pasur interes në procedim, e për rrjedhojë ndodhemi para parashikimeve ligjore të gërmës “a” të nenit 17 të K.Pr.Penale”. Kështu thuhet në pretendimet e prokurorisë, e cila tashmë dukshëm i trembet një vendimi të mundshëm pro ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, vartëses së tij Dorina Sulaj dhe biznesmenit Artur Haxhi. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre duke i hapur rrugën ndërtimit të një pallati 11-katësh./Mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat