Prezantohen projektet për shndërrimin e Parkut të Tiranës

Shqipëria

Prezantohen projektet për shndërrimin e Parkut të Tiranës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 11:06

U hap dje faza e parë e konkursit për projektin transformues të hyrjes në Parkun e Liqenit të Tiranës. Në garë për këtë projekt janë 9 kompani ndërkombëtare, të cilat sjellin idetë e tyre për hyrjen e Parkut të Liqenit Artificial dhe lidhja e tij me qytetin, konkretisht me sheshin Nënë Tereza. Në fokus të projekteve të prezantuara është lidhja e qytetit me parkun, si një hapësirë e ndërmjetme, riprogramimi i Sheshit “Nënë Tereza” dhe domosdoshmëria e krijimit të hapësirave qytetare për shërbimet publike, me qëllim përmirësimin e marrëdhënies mes shërbimit publik dhe qytetarit. Konkursi ka në fokus idetë për hyrjen e parkut të Tiranës, hapësirën e qytetarëve për shërbime publike, zgjerimin e mjediseve akademike dhe edukative, si dhe krijimin e hapësirave social- kulturore për të rinjtë.

Dita e parë e konkursit u zhvillua dje, në praninë e një publiku të gjerë profesionist, ku nga 11 skuadrat pjesëmarrëse, 9 skuadra prezantuan programet e tyre përballë një jurie ndërkombëtare, të përbërë nga specialistët e fushës. Plan-projektet e prezantuara deri tani, parashikojnë ngritjen e disa godinave të tjera, përveç atyre ekzistuese “Juria synon krijimin e hapësirave me rëndësi të veçantë. Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëjë edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për të gjithë qytetarët që sot enden nga sporteli në sportel”, tha kryeministri Rama në nisjen e prezantimit të projekteve. Më poshtë janë të renditur disa nga projektet e prezantuar dje në konkurs, i cili do vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme me prezantimin e dy studiove të tjera.

AZPML LIMITED – Arquitectura Agronomia – AEA Consulting – StudioArch4

“Propozimi ynë për kompleksin e godinës, që do të caktojë pjesën veriore të Parkut të Tiranës, synon të shmangë nevojën për të monumentalizuar dy institucionet publike që përfshihen në kompleks, Qendra e Shërbimit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në të kundërt, propozimi ynë, synon ndërtimin e një Kufiri Verior për Parkun e Liqenit të Tiranës. Ne e shohim këtë ndërhyrje me së shumti si një strukturë topografike, që do të caktojë kufirin e Parkut të Liqenit dhe që duhet të jetë më shumë si një mur qyteti ose si një shtrat lumi: një strukturë e vazhdueshme që cakton një vendndodhje të kufirit midis Parkut dhe Qytetit. Strategjia jonë e ndërtimit është e strukturuar rreth një modeli të vazhdueshëm ndërtimi, që prodhon një kualitet të caktuar rreth kufirit. Ideja jonë është që të prodhojmë një seri të kopshteve/lulishteve, që do të mundësojnë një shumësi të hapësirave të gjelberta, të kombinuara me ndërtimin e ndërtesave publike, që do të modelojnë midis peizazhit të Parkut dhe kufirit të qytetit.

ATENASTUDIO-INDRIO-NORRØN

“Zhvillimi i hapësirave midis qytetit të Tiranës dhe Parkut të Madh përmban një potencial të madh për krijimin e një peizazhi fizik urban, ku banorët e qytetit mund të takohen në një ambient të pastër, një prag i ri publik. Ndërtesat janë të lidhura me kujdes me funksionet e nevojshme në mënyrë që ndërtimi kontribuon ndaj jetës publike, duke qenë vetvetja e një pjese aktive të parkut, ata gjithashtu bëhen tërheqëse për shkak të pamjes së tyre, transformimi i harkut historik sipas funksionit”.

BuildingBuilding + UHO + Elias Guenoun architecture

“Ashtu siç bie shpesh çështja, këtij konkursi i jepet një titull dhe një temë kërkimi., respektivisht, “Hyrja e Parkut të Liqenit të Tiranës”, urban nga natyra. Titulli është shumë i qartë, kërkon direkt subjektin dhe vendosjen. Tema e kërkimit lë më shumë hapësirë për interpretim. Në një kuptim, kjo lojë fjalësh fillimisht kërkon që Hyrja e Parkut (dhe me zgjatim vetë Tirana) vizaton formën e saj urbane në lidhje me florën dhe faunën e saj ekzistente.

Matthias Bauer Associates – Grijsbach – Transsolar Mbushim qytetin me natyrë - Zgjerimi i Parkut të Liqenit.

“Parku i Liqenit është një park natyral i rëndësishëm, një vend pushimi për qytetin dhe zë një vend në memorien e qytetit që me krijimin historik të aksit të Tiranës gjatë viteve 1930 nga arkitekti Italian Armando Brasini dhe në vazhdim me sheshin “Dopo Lavoro ”, më vonë i quajtur sheshi “Nënë Tereza”. Hyrja për në park ka qenë gjithmonë problem, edhe pse aktualisht parku ka dy hyrje. Projekti propozon të zgjerojë potencialin për ekzistencën e qytetit urban dhe të liqenit, në një rol lidhës mes parkut dhe qytetit. Ne propozojmë të zhvillojmë sheshin Nënë Tereza nga një stacion i fundit, në një lidhës të gjallë me vendet e pasura përreth, në veçanti me Parkun e Tiranës”.

ARCHEA ASSOCIATE – AEI progetti rsl – Ergys Krisko – Florian Derek ARCHEA PROJECT

“Master Plani për Hyrjen e Parkut të Tiranës edhe Idetë për Projekte Arkitekturale të dy ndërtesave shtetërore: Qendra e Shërbimit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Master plani për sipërfaqen e planifikuar, për zgjerimin e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Akademisë Policore, paraqet një sërë tarracash të cilat “shikojnë” nga qyteti. Projekti tenton të shoh më shumë se sa mund të shihet. Është konceptuar si një park publik, i hapur, i vendosur anës disa ndërtesave historike monumentale të shekullit të 20-të”.

Edi Rama: Krijojmë dy hapësira me rëndësi të veçantë

“Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e jurisë, të cilët janë këtu të pranishëm, për të na ndihmuar të gjykojmë lidhur me një numër idesh të propozuara për një projekt me një rëndësi strategjike për zhvillimin e kryeqytetit, projektin e Hyrjes së Parkut të Tiranës, që njëkohësisht është një projekt me rëndësi të veçantë për qeverinë shqiptare, pasi në hapësirën e vënë në dispozicion të të gjithë konkurrentëve, për të propozuar idetë e tyre, qeveria synon krijimin e dy hapësirave me rëndësi të veçantë. Krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike dhe qendrën e re moderne për Policinë e Shtetit, që do të jetë një hapësirë në dispozicion të Policisë së Shtetit, për të akomoduar strukturat drejtuese të saj, por njëkohësisht, edhe një hapësirë ku do të gjejë vend gjithë projekti dhe programi i inovacionit për Policinë e Shtetit.

Ky është një projekt me një rëndësi të posaçme për ne, i cili i hap rrugë edhe programit të ri transformues për gjithë Parkun e integruar të Tiranës, ku, siç është shprehur edhe në synimet e Bashkisë së re të Tiranës, qëllimi është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët mes hapësirave të ndara ekzistuese të Parkut të Liqenit, të Kopshtit Botanik, të Kopshtit Zoologjik dhe të Parkut të Ri Olimpik që ka filluar të ndërtohet në anën perëndimore të hapësirës. Sidoqoftë, projekti, i cili përfshin një hapësirë të kufizuar brenda hapësirës së madhe ku do të shtrihet programi i Parkut të ri të Tiranës, është kyç sepse do të krijojë kushtet për të hapur një kantier të madh për Tiranën, duke bërë të mundur fillimin e punës në fazën e parë, që është pikërisht faza që lidhet me hyrjen e Parkut.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që në këtë konkurs kanë shprehur interes shumë studio të njohura ndërkombëtare, për të ballafaquar propozimet përballë një jurie prestigjioze, që do të na ndihmojë që të marrim një konkluzion sa më në mbështetje të aspiratës sonë për ta transformuar këtë hapësirë. Duke i falënderuar pjesëmarrësit në konkurs për ardhjen e tyre këtu, duke falënderuar në mënyrë të posaçme jurinë, ju uroj të gjithëve sukses. Jam i bindur se në fund të ditës së sotme, ne do të kemi në dispozicion një tjetër instrument me vlerë, për të çuar përpara projektin e transformimit të kryeqytetit tonë”.

Enno Bozdo: Rama-Veliaj po betonizojnë Parkun

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, ende në detyrë, Enno Bozdo, e sulmoi dje shumë ashpër konkursin dhe projektet e paraqitura nga studiot e pranishme. Bozdo akuzoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e ardhshëm të bashkisë, Veliaj për betonizimin e parkut dhe të sheshit historik. “Ende pa u ulur në karrigen e kryebashkiakut, Rama dhe Veliaj tashmë kanë marrë vendimin për të betonizuar hyrjen e parkut të liqenit artificial në Tiranë, si dhe për të shkatërruar sheshin “Nënë Tereza”, monument kulture. Pasi bllokoi për dy vjet projektet e bashkisë së Tiranës, Edi Rama hodhi në fushatë miliona euro me burime të padeklaruara vetëm për të shtënë në dorë bashkinë e Tiranës dhe sot çdokush e ka të qartë përse. Për të vazhduar betonizimin e saj, aty ku e la.

Me një konkurs fals, Edi Rama, prezantoi sot projektin e tij të betonizimit pa kthim të hyrjes së parkut të liqenit dhe sheshit “Nënë Tereza”. Të gjithë e mbajnë mend sesi në kulmin e fushatës elektorale, Veliaj, premtoi se nuk do të lejonte asnjë ndërtim të ri komercial në Tiranë, se do të zgjeronte kufijtë e parkut të liqenit dhe se do të mbronte dhe promovonte trashëgiminë kulturore të Tiranës. Sot, tri javë më vonë, shefi i tij nxjerr zhveshur para shqiptarëve falsitetin e këtyre premtimeve, duke faktuar se kanë planifikuar diçka tjetër për Tiranën, në drejtim të kundërt me çfarë premtuan në fushatë, betonizimin e parkut dhe degradimin përfundimtar të sheshit “Nënë Tereza”, nëpërmjet ndërtimeve të reja që ai dhe Rama kanë planifikuar të ngrenë aty. Pra, premtimet rezultuan të gënjeshtërta për Ramën dhe Veliajn. Por, që Rama të mbërrinte deri këtu, iu desh më parë të bllokonte projektin e bashkisë për sheshin “Nënë Tereza”-tha Bozdo.

Ai iu referua fotove të projekteve të paraqitura për të argumentuar se si do të betonizohet sipërfaqja e gjelbërt që është sot. “Ju ftoj të shikoni fotot sesi ky projekt ishte parashikuar të zhvillohej nga ana e bashkisë dhe sesi Rama kërkon ta ndryshojë. Pamjet flasin vetë. Atje ku ishte parashikuar gjelbërim, Rama parashikon të ndërtojë, atje ku koncepti i projektit të bashkisë harmonizohej me hapësirën e gjelbërt, Rama parashikon beton, atje ku parashikohej park dhe pemë, Rama parashikon sipërfaqe ndërtimi, atje ku është dhe duhet të jetë parku, Rama do të ndërtojë shumëkatësh.

Ne kundërshtojmë me forcë të madhe këtë çmenduri për betonizimin e parkut dhe për shkatërrimin e sheshit “Nënë Tereza”. Pseudo-konkursi është një farsë klienteliste që shërben vetëm për të kamufluar atë që Rama dhe zgjatimi i tij në Bashki, Veliaj, tashmë kanë vendosur, goditjen përfundimtare për parkun dhe sheshin “Nënë Tereza”. U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës pa dallim, shoqërisë civile dhe gazetarëve të lirë të bashkohen për të kundërshtuar me të gjithë forcat këtë pabesi ndaj Tiranës dhe banorëve të saj dhe për të detyruar Ramën të tërhiqet nga betonizimi korruptiv i sheshit “Nënë Tereza” dhe hyrjes në parkun e liqenit”-deklaroi nënkryetari i bashkisë, Bozdo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat