Dade: OSBE-ja forumi kryesor europian për dialog politik

Shqipëria

Dade: OSBE-ja forumi kryesor europian për dialog politik

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 22:46

Gjatë Seancës Plenare të OSBE-së mbi eventin përkujtimor “Helsinki +40”, kryetarja e delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Arta Dade, u shpreh se OSBE-ja duhet të vazhdojë të luajë një rol vendimtar në situatën aktuale të sigurisë.

“Si organizata e parë ndërkombëtare që iu përgjigj krizës në Ukrainë, OSBE-ja ka demostruar aftësinë për të përmbushur përgjegjësitë e saj në kuadrin rajonal në bazë të OSBE-ja ka gjetur konsensus për shumë iniciativa kryesore mbi konfliktin në dhe rreth Ukrainës. Lançimi i projektit kombëtar të dialogut në Ukrainë, vendosja e Misionit të Posaçëm të Monitorimit dhe Misionit të Vëzhgimit, dhe pjesëmarrja në Grupin Trilateral të kontaktit, janë shembulli më i dukshëm i aftësisë së OSBE-së për të nisur veprime kolektive edhe gjatë një krize shumë përçarëse”, u shpreh Dade.

Gjatë fjalës së saj ajo tha: “Rendi i tanishëm Europian, ndërtuar me kujdes pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, është duke përjetuar një ndryshim të rrezikshëm të paradigmës, pasojat e të cilit janë të vështira për t’u parashikuar në afat të gjatë. Mosbesim dhe ndarje, politika konfrontuese dhe logjika e lojës me shumë zero po mbizotërojnë mbi qasjen bashkëpunuese ndaj sigurisë që është në zemër të angazhimeve gjithëpërfshirëse të OSBE-së dhe parimeve që shtetet e saj pjesëmarrëse kanë nënshkruar lirisht”.

Dade ka rikonfirmuar në mënyrë të qartë rëndësinë e vazhdueshme për Sigurinë Europiane.

“OSBE-ja duhet të mbetet forumi kryesor evropian për dialog politik, vendi kryesor për të diskutuar në mënyrë të hapur e transparente shqetësimet e tyre kryesore të sigurisë. Megjithatë, rindërtimi i besimit nuk mund të arrihet në dëm të angazhimeve tona themelore dhe të parimeve të Aktit Final të Helsinkit. Procesi i integrimit rajonal në zonën e OSBE-së – i realizuar në përputhje me parimin që njeh të drejtën e shteteve sovrane për të krijuar lirisht aleanca dhe për të qenë pjesë e grupeve të ndryshme politike dhe ekonomike, duhet të shihet si një kontribut konkret në realizimin e objektivave të përcaktuara nga dokumentet themelore”, deklaroi kryetarja e delegacionit Shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Në fund Dade tha: “Dimensioni njerëzor duhet të mbetet në thelb të konceptit gjithëpërfshirës të sigurisë të OSBE-së, duke qenë se hendeku midis angazhimeve përkundrejt dimensionit njerëzor dhe zbatimit të tyre vjen duke u rritur roli i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së merr rëndësi edhe më të madhe”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat