Koço Kokëdhima: Të rritim marrëdhëniet ekonomike me SHBA-të

Shqipëria

Koço Kokëdhima: Të rritim marrëdhëniet ekonomike me SHBA-të

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:38

Përvjetori i Shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festuar në mënyrë të veçantë në qytetin e Fierit. Bashkia e këtij qyteti, në bashkëpunim me Misionin Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, organizuan ceremoninë e vendosjes së bustit të personalitetit politik dhe diplomatit amerikan Richard Holbrooke. Busti i përgatitur nga skulptori Idriz Balani sjell në bronx një mik të Ballkanit. Ishambasadori amerikan Richard Holbrooke njihet për diplomacinë e tij dhe kontributin e madh që ka dhënë për paqen në Ballkan, për çështjen shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për popullin e Kosovës.

Në këtë ceremoni festive merrte pjesë kryetari i bashkisë së Fierit, i cili tashmë do të lërë detyrën, Baftjar Zeqaj, Armando Subashi që sapo është zgjedhur si kryebashkiak, por edhe zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, deputetët Koço Kokëdhima, Ervin Koçi, Kozma Dashi, kryetari i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Shefki Hysa, skulptori Idriz Balani si dhe pushtetarë të tjerë vendorë. Deputeti Kokëdhima, gjatë fjalës së tij, vlerësoi mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Duke parë këtë bustin e Idriz Balanit dhe me këtë rast dua ta falënderoj dhe atë për këtë punë shumë të mirë që ka bërë, mendja na shkon tek lufta e Kosovës dhe na bën që të kujtojmë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa presidentin Klinton ne nuk do ta kishim Kosovën e lirë që kemi sot, paqja në Ballkan nuk do të ishte vendosur, të drejtat e shqiptarëve nuk do të ishin vendosur dhe e ardhmja e çështjes së shqiptarëve nuk do të ishte vendosur në këtë mënyrë siç u vendos. Prandaj në të gjitha këto raste dhe sot ne i përulemi me respekt dhe nderim të thellë, dhe me falënderim të thellë mbështetjes historike dhe të pazëvendësueshme që Shtetet e Bashkuara i dhanë popullit tonë e veçanërisht popullit të Kosovës”, - tha ai.

Kokëdhima theksoi se marrëdhëniet tona me SHBA-në janë të shkëlqyera dhe se kanë qenë të tilla në momente të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar, por po ashtu edhe në këto 25 vite demokraci. Ligjvënësi socialist shtoi se do të duhet që këto marrëdhënie të jenë të shkëlqyera edhe në aspektin ekonomik ku bashkëpunimi nuk është sipas pritshmërive.

“Sot në ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne urojmë me zemër popullin amerikan ta gëzojë këtë ditë të shquar të historisë së vet. Sigurisht unë dëshiroj gjithashtu të them se përtej marrëdhënieve të shkëlqyera që ne kemi, presim edhe një nivel më të mirë të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike sepse shkëmbimet tregtare dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona janë shumë më poshtë pritshmërive dhe nivelit të miqësisë dhe të bashkëpunimit të vendeve tona. Prandaj, me punën e përbashkët të të gjithëve ne, shpresojmë gjithashtu që të përmirësohen këto marrëdhënie ekonomike ashtu siç mirëpresim dhe shpresojmë që të rriten edhe investimet amerikane në Shqipëri”, - përfundoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat