Si u arratis Arben Frroku para vendimit të Apelit

Shqipëria

Si u arratis Arben Frroku para vendimit të Apelit

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 08:46

I akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamajt dënohet me burgim të përjetshëm, por policia nuk e gjen në adresën e banimit. Frroku u ndalua më datë 19 qershor, në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, pasi rezultonte në kërkim në bazë të urdhër-arrestit të parë të lëshuar nga gjykata. Hetuesit verifikojnë sistemin TIMS, por Frroku nuk rezulton i regjistruar as në dalje e as në hyrje.

Drejtësisë shqiptare do t’i duhet shumë kohë të kthejë pas hekurave Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Pas pafajësisë në shkallën e parë, dje Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Por, pavarësisht këtij vendimi, i pandehuri rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.

Në fakt, një gjë e tillë nuk do ishte marrë vesh nëse autoritetet malazeze nuk do ndalonin Frrokun në kufi me Kroacinë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ky urdhër edhe pse u rrëzua nga gjykata e shkallës së parë me dhënien e pafajësisë ndaj Frrokut, figuronte ende në sistem për shkak të mosrifreskimit të vendimit të gjykatës. Më datë 19 qershor autoritetet shqiptare njoftohen nga homologët e tyre malazezë se në kufi me Kroacinë ishte ndaluar shtetasi shqiptar Arben Frroku.

Sipas të dhënave të Interpolit rezultonte se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes ndaj punonjësit të policisë me një masë sigurimi të caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas marrjes së këtij informacioni, Interpol Tirana ka nisur verifikimet dhe pasi është njohur me urdhër-arrestin ndërkombëtar ka konstatuar se ai i përkiste muajit shkurt të vitit 2013, kohë në të cilën Arben Frroku u shpall në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë, Dritan Lamaj.

Pas verifikimit të informacionit, Interpol Tirana ka komunikuar me kolegët malazezë, të cilët pas verifikimeve kanë lënë të lirë Frrokun, që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga ky informacion, autoritetet shqiptare kanë kryer verifikime mbi kohën e daljes së të pandehurit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Por nga verifikimet në sistemin TIMS nuk rezulton që Arben Frroku të ketë dalë nga Shqipëria. Për autoritetet, ky fakt ka dy shpjegime: Frroku nuk është regjistruar në dalje nga punonjësi i policisë në pikën doganore, ose ai ka zgjedhur të largohet jo nga një pikë doganore, por nga territori i pakontrolluar i kufirit.

Në këtë pikë, hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë mënyrën e largimit të Arben Frrokut, i cili tashmë duhet të vuajë një dënim me burgim të përjetshëm, pasi vendimi i djeshëm i Apelit është i formës së prerë dhe duhet të ekzekutohet menjëherë. Pas vendimit të djeshëm, oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer verifikime nëse i dënuari rezulton të jetë kthyer në Shqipëri, por sistemi TIMS nuk ka të regjistruar asnjë hyrje.

Për vendndodhjen e të kërkuarit nuk ka dijeni as avokati i tij mbrojtës, i cili i pyetur nga mediat tha se gjykata ka shpallur mungesën e tij si një procedurë normale dhe ka vijuar gjyqi pa praninë e të pandehurit. Avokati Genc Gjokutaj tha se nuk kishte komunikuar me klientin e tij, ndërsa e komentoi vendimin e gjykatës si të marrë në kushtet e presionit. “Është një vendim nën presion, megjithatë ne do të ndjekim rrugën ligjore pasi nuk kemi rrugë tjetër.

Ky është një vendim në kundërshtim me të gjitha aktet që janë në dosje. Nuk flitet më për gjykata të varura apo të pavarura, por për gjykata nën presion. Do bëjmë rekurs”, – tha avokati Gjokutaj. Por, pavarësisht këtyre të dhënave, Arben Frroku rezulton të ketë qenë në Shqipëri deri përpara pak ditëve nga shpallja e vendimit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, i cili u shty disa herë. Frroku u shfaq publikisht duke festuar si president i ekipit të futbollit të Pukës, i cili do të luajë në superligë, si dhe organizoi një festë për këtë event.

Partia Demokratike thotë se Arben Frroku ka udhëhequr fushatën e Partisë Socialiste në rrethin e Pukës. Pavarësisht këtyre qëndrimeve, vendimi i djeshëm i Apelit është i formës së prerë dhe duhet të ekzekutohet nga policia, e cila thotë se nuk ka gjetur në adresën e tij të banimit shtetasin Arben Frroku.

Argumentet e prokurorisë, ja provat që dënojnë përjetësisht Frrokun

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi dje me burgim të përjetshëm biznesmenin Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt në shkurt të vitit 2013. Vendimi i Apelit vjen pas pafajësisë që Frroku mori në shkallën e parë me një vendim shumë të debatuar, i cili në thelb rrëzoi dy nga provat kryesore: dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur dhe eksperimentin hetimor.

Por në argumentet e saj, Prokuroria e Apelit interpreton kuptimin e të gjitha provave në harmoni me njëra-tjetrën, që kanë bindur trupin gjykues të dënojë me burgim të përjetshëm Arben Frrokun. Për prokurorinë, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda duhet të ndryshohet përsa i përket deklarimit të pafajshëm të të pandehurit Arben Frroku, pasi ky vendim nuk është i arsyetuar drejt dhe vjen si rezultat i një analize dhe interpretimi të njëanshëm dhe me mungesë objektiviteti të provave, të cilat i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor.

“Gjykata në mungesë të një transparence, jashtë seancës gjyqësore ka arritur në konkluzione, të cilat do të duhej të diskutoheshin gjatë debatit gjyqësor, mbi kërkesën e palëve apo dhe kryesisht, lidhur me këqyrjen e CD-ve që lidhen me pamjet e vendit të ngjarjes dhe rrugëve rreth saj. Gjithashtu, në këtë gjykim nga ana e gjykatës është refuzuar që të merren prova mbi kërkesën tonë, prova të cilat lidheshin me dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka dhe që kishin të bënim mbi kërcënimet që i bëheshin familjes së tij, para dhënies së dëshmisë në gjykatë apo dhe me dekonspirimin e identiteteve të tij të bëra prezent nga i pandehuri në një intervistë televizive”, thotë prokuroria.

Sipas akuzës janë të paktën pesë arsye përse i pandehuri duhet të kthehet në qeli. “Së pari, identifikuam motivin i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjes me armë të viktimës. Së dyti, provuam mekanizimin e kryerjes së kësaj vrasjeje, si numrin e personave, mjetet e përdorura, itinerarin e ndjekur prej tyre. Së treti, provuam praninë e të pandehurit në vendin e ngjarjes, e konkretisht në rolin e ekzekutorit.

Së katërti, rrëzuam alibinë e tij lidhur me qëllimin e vajtjes së tij të menjëhershme në Greqi natën e ngjarjes. Së pesti, provuam mundësinë e largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit deri në momentin e kalimit të tij në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë-Korçë”, argumenton prokuroria. Sipas akuzës, gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është ndalur kryesisht, duke zhvlerësuar provat e paraqitura nga prokuroria e duke marrë në konsideratë të çmuar, si dhe duke iu dhënë vlerë të paracaktuar provave të paraqitura nga ana mbrojtjes, të cilave nuk iu ka bërë të njëjtën analizë të hollësishme në kuptimin e vërtetësisë së tyre, pra duke përdorur një standard ndryshe.

Po ashtu sipas prokurorisë, gjykata ka refuzuar marrjen e një sërë provash të prokurorisë duke nisur nga kallëzimi i bërë nga familjarët e dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka, të cilët janë kërcënuar me jetën e tyre para dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur para Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Sipas akuzës, gjykata ka refuzuar të marrë si provë edhe një CD-i me regjistrimin e një bisede telefonike që i pandehuri Arben Frroku ka zhvilluar nga dhomat e paraburgimit me një gazetar mbi identifikimin e dëshmitarit të mbrojtur, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me njohjen midis tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat