Analiza e "Kathimerini": Rama dhe Tsipras duhet të guxojnë

Shqipëria

Analiza e "Kathimerini": Rama dhe Tsipras duhet të guxojnë

Më: 30 maj 2015 Në ora: 23:32

Mënjanimi i debateve dhe dueleve verbale për hir të një fqinjësie të mirë. Ky është apeli i gazetës greke “Kathimerini” drejtuar lidershipit në Greqi dhe Shqipëri në një shkrim të titulluar “Liderët duhet të guxojnë”.

Gazeta e madhe greke, “Kathimerini” i ka bërë thirrje lidershipit në Athinë dhe Tiranë që të lenë duelet verbale dhe të shohin se të ecin bashkarisht si dy fqinj të mirë.
Në komentin me titull “Liderët duhet të guxojnë”, analisti i njohur Stavros Tzimas, analizon zhvillimet e fundit në marrëdhëniet greko-shqiptare. Pavarësisht se cila palë ka më shumë të drejtë, thekson Tsimas, e rëndësishme është që tonet u ngritën sërish dhe marrëdhëniet greko-shqiptare ndodhen përsëri nën temperatura të ulëta.

Tzimas vëren se pala shqiptare do të mund fare mirë t’i parashtronte në mbledhjet e komisionit dypalësh kundërshtimet për kërkimet greke në detin Jon. Por në vend të kësaj preferuan të bëjnë notë verbale, me sytë e Ramës të drejtuara nga elektorati.

Nga ana tjetër, Athina “zhveshi shpatën” për zgjedhjen e një politikani të parëndësishëm në postin e nënkryetarit të parlamentit, dhe natyrisht, mori përgjigjen e Ramës, shkruan Tzimas.

Me dy fjalë, Rama i tha Athinës se nuk ka legjitimitet t’i tregojë se cilin do të bëj nënkryetar të tretë të parlamentit në vendin e tij. Dhe ka të drejtë, thekson Tzimas, duke shtruar një pyetje retorike: “Pa mendoni sikur ministria e jashtme e Shqipërisë të protestonte ndaj Aleksis Tsiprasit, pse ky mori në qeveri Panos Kamenos, të cilin shqiptarët e konsiderojnë nacionalist?”, transmeton Lapsi.al.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë, vëren Tzimas dhe shton: “Duhet më në fund të gjendet një terren i përbashkët dhe të lëmë mënjanë ato që na ndajnë.

Rama dhe homologu i tij serb Vuçiç e tejkaluan disa ditë më parë në Tiranë problemin e madh historik të Kosovës dhe u deklaruan të vendosur që të ecin përpara. Është nevojë urgjente që të lemë duelet verbale dhe të shohim se si do të ecim së bashku, si dy fqinj të mirë”-nënvizon Tzimas dhe përfundon: “Rruga për rikthimin e pranisë greke në Ballkan kalon nga ristartimi i marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rruga e shqiptarëve drejt BE kalon përmes Greqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat