Rama: PD s’ka model për bashkitë, reformat e qeverisë nuk janë dasma

Shqipëria

Rama: PD s’ka model për bashkitë, reformat e qeverisë nuk janë dasma

Më: 26 maj 2015 Në ora: 08:45

Kreu i qeverisë ka prezantuar dje në Librazhd kandidatin e mazhorancës për kryetar bashkie, Kastriot Gura. Ai ka akuzuar opozitën se nuk iu ka ofruar asnjë ofertë qytetarëve për mënyrën sesi mendon se do i qeverisë qytetet.

Kreu i qeverisë, Edi Rama është ndalur dje në Librazhd për të bërë fushatë për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e këtij qyteti, Kastriot Gura. Ndërsa ka kërkuar votën e banorëve të kësaj njësie për Gurën, Rama ka theksuar se në këto zgjedhje ka një dallim të madh mes kandidatëve të shumicës së majtë dhe kandidatëve të opozitës.

Sipas tij, ndërsa të majtët flasin në fushatën e tyre për projekte konkrete, të djathtët flasin për politikën e madhe, pa ofruar asnjë vizion për zhvillimin e bashkive të reja. “Çfarë mirëqenie pret nga një parti që ka dalë në zgjedhjet vendore dhe nuk thotë asgjë për kandidatët, se çfarë do të bëjnë ata?! Që nuk flet për ujitjen, transportin, plehrat, e kështu me radhë?! Thonë vetëm një gjë, na votoni ne që të kthehemi aty ku ishim, se nuk shtyhet më duke paguar drita, duke ndërtuar me leje…”- tha Rama.

Sipas kryeministrit, ASHEE ka “njerëzit që janë të gatshëm të çojnë përpara punët e qytetit, ndërkohë që opozita nuk ka as njerëzit dhe as modelin”, – tha Rama në fjalën e vet. Ai shtoi se e djathta kërkon votën e shqiptarëve jo për të qeverisur qytetet, por ta përdorur atë kundër qeverisë. “Përse diskutojnë për këto, sepse ata nuk duan që t’u japin qyteteve të reja një alternativë, por sherrin në parlament ta çojnë në bashki. Ti i thua si do ia bëjmë për çerdhen, ai thotë Rama-Meta në Tiranë apo qeveri e poshtër”, – tha ai. Gjithashtu ai theksoi se e djathta është detyruar të bëjë këtë fushatë, pasi ajo sipas tij nuk ka një rast të cilit t’i referohet dhe punën e të cilit ta reklamojë te qytetarët si një model.

“Ndryshimi midis nesh dhe atyre në kuptimin vendor është se ne kemi një vizion dhe kemi modelin për ta çuar para vendin. Ata nuk kanë një model. Më të mirin e tyre kanë atë të Tiranës, ju e dini mirë se shkoni e vini në Tiranë, e dinë se sa ka ndryshuar Tirana këto 4 vjet. Katër vjet burri i botës nuk ka bërë absolutisht asgjë, zero. Dy vitet e para fjeti gjumë, dy vitet e tjera u çua kur i thoshim ne çohu dhe bëj ndonjë punë”, – tha Rama. Më tej ai ka kërkuar votën e gjithë simpatizantëve të Partisë Socialiste dhe partive të tjera të koalicionit të gjerë për kandidatin e majtë, por edhe për këshillat bashkiakë. “Nga ana tjetër këto zgjedhje janë edhe për kuvendin vendor.

Që këshillat bashkiakë të kthehen në forume përfaqësuese. Për këtë arsye, nëse vota për kandidatin është një votë e bashkuar, ajo për këshillin është për partinë. Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë zgjedhje mes Kastriotit dhe kush është tjetër përballë se as nuk e di, as më intereson, por zgjedhje për të çuar para projektin tonë”,- u shpreh Rama. Ai ka folur edhe për kritikat që kohët e fundit i janë bërë qeverisjes së tij edhe nga eksponentë brenda PS-së, duke theksuar se reformat kanë kosto dhe se rezultatet e tyre do të vijnë. “Reformat nuk janë festa, dasma që të argëtohemi, janë operacione të thella dhe të dhimbshme, nuk janë karamele, por ilaçe të hidhura.

Kemi potencial të madh për të zhvilluar së bashku një shoqëri me shtet, me rregulla, me barazi në konkurrencë, ku më të mirët ecin përpara, por më të dobëtit nuk mbeten pa ndihmë dhe mbështetje”, – u shpreh kryeministri. Në fund Rama e mbylli me një batutë, duke u kërkuar grave të marrin përdore burrat dhe t’i çojnë në drejtimin e duhur. “Grave, amanet burrat, merrini përdore dhe çojini në drejtimin duhur”, – tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat