"Shqipëria të bëhet si një Itali e vogël"

Shqipëria

"Shqipëria të bëhet si një Itali e vogël"

Më: 3 maj 2015 Në ora: 17:07

Televizioni italian “Rai Due” ka bërë një reportazh të zgjeruar për jetën e italianëve në Shqipëri, për investimet italiane dhe studentët italianë që studiojnë në vendin tonë. Reportazhi, i cili përfshin edhe intervista nga Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, nis me një vizitë në Bunk’Art, bunkerin antibërthamor që kishte ndërtuar Qeveria komuniste.

Gazetarja e ka pyetur Kryeministrin Rama nëse në Shqipëri është e nevojshme të bëhet çdo gjë, ndërsa ai është shprehur se Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së dhe do të bëhet si një "Itali e vogël".

“Edhe në Evropë duhet të bëhet çdo gjë, nuk është se ndryshon shumë, në sensin që të arrish të përfundosh një projekt si atë të Evropës së bashkuar si dhe atë të Shqipërisë së integruar në Evropë, është e nevojshme që të bëhet pothuajse çdo gjë. Ne bëjmë pjesë në familjen e Evropës jugore. Nuk mund të ëndërrojmë të bëhemi si Gjermania dhe Zvicra sepse besoj se do të ishte e mërzitshme, por ta bëjmë Shqipërinë një Itali të vogël, do të ishte shumë bukur, ndoshta me më pak burokraci dhe me më shumë iniciativa”, ka thënë Rama.

Ndërsa ambasadori italian, Massimo Gaiani ka folur për jetën e studentëve italianë në Shqipëri. Gazetarja e emisionit ngre shqetësimin për blerjen e diplomave duke iu referuar rastit të Umberto Bossit, Renzo Bossi, që ka marrë një diplomë në një universitet privat në Tiranë, pa qenë asnjë herë në Shqipëri. Ambasadori Gaiani vlerëson se Shqipëria ka një traditë të fortë për pranimin e studentëve, por vitet e fundit kjo traditë humbi pak për shkak të hapjes së 50 universiteteve. Ai vlerëson edhe reformën e nisur nga Qeveria “Rama” për arsimin.

“Shqipëria ka një traditë shumë përzgjedhëse dhe të fortë për pranimin e studentëve me rezultate shumë të mira në universitetet publike. Gjatë viteve të fundit ka humbur paksa si pasojë e hapjes së rreth 50 universiteteve private të cilat janë shumë për një vend me 3 milion banorë. Kohët e fundit qeveria ka përfunduar një proces vlerësimi të saktë të këtyre universiteteve, si dhe atyre publike, duke ju hequr licencën disave prej tyre, duke vendosur pak rregull në sistemin e edukimit dhe duke dhënë një garanci të madhe për t’i bërë këto universitete qendra të vërteta studimi dhe jo qendra që japin thjesht diploma”, ka thënë Gaiani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat