Modeli i fushatës, Basha ndryshon stilin

Shqipëria

Modeli i fushatës, Basha ndryshon stilin

Më: 25 prill 2015 Në ora: 10:08

Fushata e PD-së ndryshon rrënjësisht nga ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Kandidatët do të ecin në këmbë dhe do të dëgjojnë më shumë kërkesat e qytetarëve, ndërsa fjalimet do të jenë të shkurtra.

Ecje në këmbë, bashkëbisedim me qytetarët, fjalime të shkurtra në mitingje dhe pa ngritje zëri. Me pak fjalë, fushatë të ndryshme nga ajo që bënte ish-kreu i PD-së, Sali Berisha. Strategjia që grupi i punës së Partisë Demokratike po harton, është e qartë, mosidentifikimi me Berishën.

Burime nga PD-ja bëjnë të qartë se, Basha ka kërkuar të zbatohet nga drejtuesit e fushatës në kryeqytet dhe rrethe, në zgjedhjet lokale, një fushatë sa më afër qytetarëve dhe larg modelit të ish-kreut demokrat.

Konfirmimi ka ardhur nga vetë Basha, i cili ka postuar dhe një status, ku thotë se ka nisur diskutimet me Halim Kosovën dhe koordinatorët e tij për organizimin e fushatës. “Diskutim energjik me Dr. Halim Kosovën dhe koordinatorët e PD”, shkruan Basha.

Modeli i fushatës

Ndërkohë kandidatët demokratë në të gjithë rrethet kanë nisur takimet me përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme. Burime nga PD-ja thanë kjo është faza e parë e njohjes me problemet e bashkëqytetarëve, për të përgatitur më pas një platformë për zgjidhjen e tyre, që pritet ta prezantojnë gjatë fushatës për garën e bashkive në vend. Prej ditësh, grupi i punës, ai i koordinatorëve, të cilëve Basha u ka besuar hartimin e strategjisë së fushatës, i kanë dhënë Halim Kosovës dhe ekipit të tij koordinatat për mënyrën se si të zhvillojnë fushatën në terren.

Nisja e një fushate me fytyrë të re, ku në fokus do të jenë zëri i qytetarëve dhe jo i politikanëve, është parë dhe gjatë prezantimit që Basha i bëri kandidatëve të PD-së. Dalja me ekipin e Grida Dumës në ditën e prezantimit të saj në Durrës në këmbë, i pasuar me atë të Halim Kosovës në qendër të Tiranës dhe mënyra e prezantimit të kandidatëve të qyteteve të mëdha, do të ndiqet edhe në fushatën që pritet të fillojë më 21 maj. Konfirmimi se fushata e PD-së do të bëhet më afër qytetarëve e tregojnë dhe ecjet në këmbë të Halim Kosovës dhe Grida Dumës, të cilët kanë nisur takimet.

Ajo që është vënë re në takimet e tyre është se kandidatët e PD-së më shumë kanë dëgjuar qytetarët se sa ata vetë kanë folur. Kjo metodë e zgjedhur nga Basha, tregon se PD-ja është larguar nga stili “alla Berishë”, i cili ka qëndruar larg turmave dhe nga podiumi ka goditur me një gjuhë të ashpër kundërshtarët. Edhe vetë Berisha në daljet e tij para mediave, i pyetur se a është i kënaqur nga Basha për mënyrën se si ka zgjedhur kandidatët dhe për mënyrën se si po i organizon zgjedhjet, është përgjigjur duke thënë se kryetari aktual e drejton PD-në ndryshe.

Para fushata

Kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ka dëgjuar dje shqetësimet e një grup gjimnazistësh për t’i përfshirë në programin e tij për kryeqytetin. “Do të nisë të flasë kur fushata të nisë zyrtarisht”, tha ai. Kandidati demokrat për kryeqytetin ka nisur takimet e tij me përfaqësues të grupmoshave të ndryshme, me të cilët konsultohet për gjithçka i mungon Tiranës. Po dje kandidati demokrat për Tiranën vijoi takimet e tij elektorale me gratë kryefamiljare. Ai iu premtoi se në programin e tij do të ketë një plan të detajuar për mbështetjen e tyre.

Halim Kosova i dëgjoi për rreth dy orë. Është vetëm në fillim të fushatës në garën për kryebashkiakun e Tiranës dhe ky takim i ka vulosur bindjen se ka bërë gjënë e duhur, duke vendosur t’i hyjë kësaj beteje. Kandidati demokrat është në fazë dëgjese me grupe të ndryshme shoqërore dhe gratë kryefamiljare premton t’i ketë si kapitull të veçantë në programin që do të shpalosë.

Mziu nis fushatën me Jemin Gjanën në krah

Kandidati i PD-së për bashkinë e Kamzës, Xhelal Mziu, ka nisur takimet me qytetarët. Për të prezantuar takimet që zhvillon me qytetarët, ai ka hapur një profil në rrjetin social “Facebook”. Dhe ka filluar të postojë edhe foto, ku Xhelal Mziu është ngritur në këmbë për të folur përpara një kafeneje të mbushur plot me qytetarë.

Por duket se më lehtë e ka marrë këtë proces Jemin Gjana, i deleguar i PD në këtë bashki, të cilin Mziu e ka thërritur për të kërkuar votën e kuksianëve, të cilëve PS-ja u ka ofruar kandidat Safet Gjicin. Siç shihet në fotot e publikuara nga Mziu, ish-deputeti Jemin Gjana ka hequr dhe xhaketën. Kandidati për kryebashkiak, në fakt, duket se ironikisht e ka postuar edhe këtë foto në profilin e tij në “Facebook”. Po dje në drekë Mziu ka zbarkuar në kafenenë e selisë së demokratëve, duke takuar disa nga zyrtarët e lartë të strukturave të PD-së. Ai ka gjetur kohë të lëshojë batuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat