PD: Arben Ndoka përkrah Edi Ramës në Lezhë

Shqipëria

PD: Arben Ndoka përkrah Edi Ramës në Lezhë

Më: 31 mars 2015 Në ora: 21:37

“Edi Rama sfidon dekriminalizimin, shfaqet në lezhë me Arben Ndokën”, ka bërë të ditur Partia Demokratike mbrëmjen e sotme.

Me një deklaratë për median, selia blu bën të ditur se “Edi Rama dha sot një mesazh të hapur kundër dekriminalizimit, duke u shfaqur në Lezhë me deputetin Arben Ndoka në prani të qytetarëve, madje duke e angazhuar në shpërndarjen e disa tapive”.

“Deputeti Arben Ndoka është jo vetëm subjekt i dekriminalizimit, pasi është dënuar në Itali me 7 vite burg për trafik prostitucioni e rrëmbim personi, por ai është në fakt simboli i inkriminimit, dhe fakti që Edi Rama zgjodhi t’i hapë atij dyert e parlamentit ka tronditur opinionin publik dhe partnerët europianë”, thuhet në deklaratën e PD.

“Me qëndrimet e veprimet e tij Edi Rama angazhohet çdo ditë kundër dekriminalizimit, edhe pse kjo është një emergjencë kombëtare, edhe pse ka një marrëveshje me garanci të Parlamentit Europian.

Por karshillëku që i ka bërë sot në Lezhë këtij procesi jetik për vendin, është flagrant dhe tregon qartë se Edi Rama ka zgjedhur krimin dhe përfaqësuesit e tij, dhe nuk ka zgjedhur interesat e vendit dhe integrimin europian.

Gjithashtu, Edi Rama, duke dal krah më krah me Arben Ndokën, i pandehur për goditje për shkak të detyrës, i cili është në proces gjyqësor dhe ndaj të cilit pritet të merret një vendim nga Gjykata e Lartë, po i bën hapur presion drejtësisë.

Edi Rama rikonfirmon publikisht se qëndron pas sulmit fizik dhe kërcënimit me jetë nga deputeti i tij Arben Ndoka, ndaj përfaqësuesit të opozitës, Strazimiri në Parlament.

Ky i sotmi është një akt i rëndë si për të kulmuar të gjithë serialin e zhytjes së Edi Ramës në skemat e mbrojtjes qeveritare të krimit.

Por një gjë është e qartë, se gjithnjë e më bosh do jenë sheshet e xhirimit me regji të Edi Ramës, dhe gjithnjë e më plot janë e do të jenë sheshet e protestës popullore, aty ku kryeministri i inkriminimit do të japë llogari”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat