Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim: Dorëheqja e Didit nuk e mbyll skandalin

Shqipëria

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim: Dorëheqja e Didit nuk e mbyll skandalin

Më: 31 mars 2015 Në ora: 18:34

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me skandalin e Interpol Tiranës, ku një urdhër arresti i ardhur nga Interpol Brukseli nuk u ekzekutua e për më tej u mbajt i fshehur për disa muaj.

“Kjo fshehje e një urdhëri ndërkombëtar ka cënuar jashtëzakonisht rëndë imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, duke dëmtuar seriozisht integritetin e uniformave blu përpara qytetarëve shqiptarë dhe besimin e partnerëve ndërkombëtare tek Policia Shqiptare”, thuhet në një reagim të kësaj shoqate.

Sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, “ky akt meriton një hetim të thellë, të shpejtë dhe me profesionalizëm të lartë nga Prokuroria shqiptare për të vënë përpara përgjegjësisë autorët si dhe urdhëruesit e fshehjes së kërkesës nga Interpol Brukseli”.

“Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim beson se dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi nuk mund të mbyllë përgjegjësitë e këtij skandali. Deklarata politike e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri pa mbajtur asnjë përgjegjësi për skandalin e rëndë nuk na jep shpresa për kthimin e Policisë së Shtetit në ligjshmëri.

Ne gjykojmë dhe e dimë nga përvoja jonë se Ministri i Brendshëm është drejtpërdrejt përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, që është një goditje për institucionin e Policisë së Shtetit.

Skandalet e shumta nuk mund të shihen si të shkëputura nga denoncimet e vazhdueshme të Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim e cila ka paralajmëruar se zëvëndësimi i profesionistëve me element të dyshimtë kriminalë do të cënonte punën e policisë dhe dëmtonte imazhin e saj në mënyrë të pakthyeshme.

Prej mëse një viti e gjysëm, qytetarët shqiptarë janë dëshmitarë të rënies së punës së Policisë së Shtetit, rritjes së aktivitetit kriminal dhe rënies së nivelit të sigurisë.

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim kërkon zbatimin e ligjit për Policinë e Shtetit dhe kthimin e besimit tek policët e ndershëm dhe profesionistë”, thuhet në deklaratën e bërë nga Shoqata e Punonjësve në Lirim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat