95 vjet Parlament, Meta: Të nxjerrim mësime nga e kaluara

Shqipëria

95 vjet Parlament, Meta: Të nxjerrim mësime nga e kaluara

Më: 27 mars 2015 Në ora: 16:21

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në aktivitetin “95 vjet Parlamenti i parë shqiptar”, i organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave në mjediset e kryesisë së Kuvendit.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit Meta, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit të Lushnjës më 27 mars 1920, ku u mblodh parlamenti i parë. Kryetari i Kuvendit u shpreh se ky kongres ishte një akt madhor ndërgjegjësimi i personaliteteve për t’iu imponuar shteteve të huaja, ndërsa shtoi se sot parlamentarët duhet të reflektojnë e të tregojnë se janë përfaqësues të denjë të atyre që bënë Kongresin e Lushnjës.

“Me bindje të plotë mund të them se Kongresi i Lushnjës ishte një akt madhor ndërgjegjësimi, i personaliteteve më të shquara dhe më të përgjegjshme të vendit tonë dhe të kombit tonë për t’i dhënë fund jo vetëm ekzistencës së brishtë e deri diku fiktive të shtetit shqiptar, të atyre arritjeve që vinin nga 1912 dhe 1913, por edhe për të penguar asgjësimin e këtyre arritjeve dhe mbi të gjitha për t’u involvuar në mënyrë të organizuar, në mënyrë të vendosur duke treguar ndërgjegjen kombëtare”, theksoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit tha se sot kërkohet një etikë e re parlamentare, në mënyrë që fjala në Kuvend të ketë më shumë peshë dhe sepse një deputet nuk përfaqëson vetëm veten por mijëra shqiptarë.

“Për këtë kemi bashkëpunuar me OSBE­në dhe shpresojmë të gjithë grupet parlamentare të nënshkruajnë këtë etikë parlamentare, në mënyrë që fjala atje të ketë peshë. Sepse një deputet nuk përfaqëson vetëm veten, por mijëra shqiptarë që presin zgjidhje, por edhe kur nuk presin zgjidhje nuk dua të shohin gjëra të tilla”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se duke u kthyer 95 vjet pas, kur fatet e Shqipërisë ishin vënë në diskutim si asnjëherë tjetër dhe kur këta njerëz u ngritën mbi interesat e tyre, është e rëndësishme që edhe ne sot të bëjmë disa detyra që janë më të lehta por të rëndësishme që imazhi i Shqipërisë të rritet në botë.

“Sfidat mbeten të rëndësishme. Vendi ka probleme ekonomike që nuk vijnë vetëm për shkaqe të brendshme, por janë rezultat i një krize ekonomike rajonale, evropiane dhe globale dhe ne duhet të përqendrojmë më shumë debatin këtu, midis pozitës dhe opozitës, si t’i shërbejmë përballimit të këtyre efekteve të jashtme. Duhet të bashkohemi akoma më shumë se si të rrisim emrin e Shqipërisë dhe kontributin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe jo si të dëmtojmë imazhin e një vendit tashmë prej vitesh anëtar i kësaj aleance, sepse edhe sfidat e sigurisë janë të mprehta, që nga kriza e Ukrainës, që nga problemet të cilat shfaq i ashtuquajturi Shteti Islamik i ISIS, përpjekjet e tyre për të ndikuar në rajonin tonë, e kështu me radhë”, theksoi ndër të tjerash, Ilir Meta.

Në këtë aktivitet u organizua edhe një ekspozitë me foto, dokumente dhe objekte origjinale të Kongresit të Lushnjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat