Berisha: Do e pësosh më keq se Toma, Stërkaj: Po fola unë “u dogje”

Shqipëria

Berisha: Do e pësosh më keq se Toma, Stërkaj: Po fola unë “u dogje”

Më: 6 mars 2015 Në ora: 08:00

Seanca e djeshme plenare si rrallë herë ka vënë përballë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe deputetin e PS-së të qarkut Shkodër, Paulin Stërkaj, të cilin ish-kreu demokrat e cilësoi si të përdorur nga kryeministri Edi Rama. Ka qenë deklarata e tij që ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Sterkajt, i cili ka shpërthyer “gardhin” e rrethuar nga deputetët demokratë duke marrë fjalën në foltoren e Kuvendit. Deputeti Sterkaj ka pohuar se deklaratat e tij mund të kishin pasoja të paparashikuara për Berishën nëse ai do të hapte “Kutinë e Pandorës”. Provokimi ka nisur nga Sali Berisha, i cili i tha Sterkajt se dhe ai do të ketë fatin e deputetit Tom Doshi.

“Të garantoj, o zoti Paulin, se Edi Rama do të të përdorë si Tomën, e më keq se Toma do ta pësosh, po e lejove. Nuk ke pse ta barazosh veten me të tjerët. Paulin, nëse ka njeri që të ka simbolizuar me krimin, kush është, Sali Berisha apo Edi Rama? Kur u pyet Edi Rama nga gazetari, nuk mori asnjërin prej tyre, veç Paulinin që nxirrte patentat e zgjedhësve. Trego burrni e lexoji mirë. Nuk të ka akuzuar njeri asnjëherë në asnjë rast veç atij që është pas shpinës time. Kur nisi t’i shpjegojë për të inkriminuarit, i tha çfarë t’i them unë Paulinit që është kaq zemërmirë”, tha Berisha. Deklarata e Berishës ka nxehur në maksimum deputetin socialist, i cili i është drejtuar foltores për të marrë fjalën. Ish-kreu i PD-së, sapo ka parë Paulin Sterkajn që po afrohej, e ka liruar menjëherë atë, duke u larguar për të vendi i tij.

“Ti më ke dekoruar me “Shqiponjën e artë” për trimëri dhe kontribut. Po ai Paulini jam. Ishalla s’më ke vënë gishtin se po më vure dorë edhe mua si viktimë është keq puna se ka pasoja”, tha Sterkaj. Deputeti socialist i bëri të qartë Berishës se ai nuk trembet nga presioni. “Ke bërë një shantazh të vogël, por unë nuk i ha shantazhet. 10 mijë vota do të marrim më shumë se në 2013 e do të shohim pas 21 qershorit se kush është Paulin Sterkaj”, tha deputeti socialist.

Debatet

Pas Sterkajt fjala e ka marrë marrë sërish Berisha, që tha se te ky Kuvend flitet vetëm për krimin dhe aspak për ligjin. “Bëj çfarë të thonë, unë këshillë të dhashë, t’i bëj të kundërtën. U denoncua se kreu i Kuvendit ka organizuar vrasjen e dy deputetëve, jo nga opozita. Kujdes Paulin, do e pësosh”, përsëriti Berisha. Ndërsa deputeti socialist i tha Berishës të mos bëj komedianin, por të sqarojë se si e ka joshur deputetin Doshi për të bërë këtë aferë.

“I kam thënë Tomës vetë, kujdes se po të përdorin. Dhe njerëzit të janë afruar për të përfituar para nga ty. Kur Dritan Prifti rastësisht na ka dalë me i pasuri në Shqipëri. Parlamenti shqiptar të marrë një nismë për hetimin e drejtuesve të KESH- it në vite, sepse paskan dalë njerëzit më të pasur në këtë vend. Kështu që ju bëj thirrje ju se po mbroni një deputet e ka shkuar puna në drejtësi”, tha Sterkaj. Më tej ai tha se të vërtetën do e nxjerrë koha duke e cilësuar Berishën një komedian. “Turp se kam telefonata nga demokratë të Shkodrës. Kam qenë edhe deputet i juaji në 2009, ju e dini mirë sesi ka qenë rezultati. Jozefina t’i ke thënë se kjo situata kriminale duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ndërsa Tomën e kam pasur koleg në Shkodër dhe kundërshtar”, tha Sterkaj. Ndërkohë edhe pas dy pushimeve me nga pesë minuta të kërkuar nga kryeparlamentari Meta, përsëri përplasja nuk u qetësua mes Sterkajt dhe Berishës. Kjo është një ndër përplasjet e rralla të Sali Berishës me Paulin Stërkaj.

Ambasadorët braktisin parlamentin

Kur opozita hyn në sallën e parlamentit deputetët qëndruan të qetë. Por debati u ndez me ardhjen e ish-kryeministrit Berisha, deputetes Jozefina Topalli dhe Edi Palokës. E para që replikon nga vendi është Topalli, e cila bashkë me ish-kryeministrin Berisha u kërkojnë deputetëve të opozitës të çohen. Ndërsa kryeministri Rama i thotë deputetes demokrate të pushojë, sepse Paloka është duke folur. Paloka akuzon mazhorancën për lidhjen me krimin, ndërsa shfaq nervozizëm. Paloka replikon me deputetin e PSsë Sterkaj dhe ky i fundit i kërkon fjalën. Por Rama i kërkon Sterkaj që të qëndrojë i qetë. Kryeministri komunikon herë pas here me kreun e parlamentit, ndërsa humori ndryshon vazhdimisht. Kjo gjendje kaotike në parlament bëri që ambasadorja e BE-së, ai francez, italian, gjerman dhe ambasadorja e Holandës të qëndronin për pak minuta në llozhat e Parlamentit.

Në momentin që kryeparlametari kërkoi pushim 5 minuta, ata u larguan dhe nuk u rikthyen më. Kur rifilloi seanca, Rama i kërkoi Topallit të largohet se pengon kamerat, ndërkohë fliste ish-kryeministri Berisha. Pak më vonë i tha Mesila Dodës që të bashkohej me deputetët e PD-së, ndërsa Doda qëndronte e ulur dhe e qetë në karrigen e saj. Deputeti Taulant Balla ngrihej disa herë nga karrikja, ndërsa debati brenda e bëri deputetin Ben Blushi që të pijë cigare jashtë ambienteve të Parlamentit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat