Tritoli, Didi: Zbuluam autorët, të paqarta motivet

Shqipëria

Tritoli, Didi: Zbuluam autorët, të paqarta motivet

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 21:34

Pas zbulimit të autorëve të atentateve terroriste ndaj familjes së ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë thotë se nuk ka ende një motiv apo pistë konkrete të krimit.

“Kemi zbuluar provat që na çojnë në dyshime të arsyeshme se kush janë autorët. Motivet e tyre do të zbulohen më pas nga hetimet që do të vazhdojnë me deklarimet dhe pyetjet e autorëve, por edhe të personave të tjerë që kanë dijeni për rrethanat e hetimit”, tha Didi.

Duke iu referuar personave të arrestuar, Kryepolici i Shtetit deklaroi se ata janë me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa Vladimir Gjuta, 35-vjeçari i shpallur në kërkim ka qenë nën hetim dhe për tritolin e vendosur pak kohë më parë në Durrës ndaj Ardian Trotës.

Didi sqaroi edhe se si Baftjar Bruka u largua nga Shqipëria dy ditë para operacionit, duke deklaruar se nuk e bllokuan në kufi për të mos dekonspiruar hetimet: "Ka qenë një hetim që ka kërkuar një shkallë të lartë konspiracioni dhe për këtë, ne deri në ditët e fundit nuk kryem asnjë veprim për të nxjerrë një listë kontrolli në pikat e kalimit kufitar".

I ndalur tek atentati ndaj oficerit Alfred Numani, Didi tha se ende nuk ka një provë që lidh të arrestuarit me këtë shpërthim. Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta rezultojnë personat më të kërkuar nga Shqipëria dhe për kapjen e tyre është kërkuar dhe ndihma e zyrave të Interpol.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat