PD: Qeveria ka vetëm një skemë për energjinë, skemën anti-qytetare

Shqipëria

PD: Qeveria ka vetëm një skemë për energjinë, skemën anti-qytetare

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 19:38

Partia Demokratike ka reaguar sot pas vendimit të ndërmarrë nga qeveria për të shtyrë deri më 31 mars afatin e pagesave të prapambetura të energjisë nga ana e qytetarëve apo lidhja e kontratave me OSHEE.

Përmes një deklarate për mediat nga selia blu, Reila Bozdo ka kërkuar nga qeveria dhe kryeministri që të mos tallen me njerëzit me të ashtuquajturat skema lehtësuese, të cilat sipas PD nuk janë gjë tjetër veçse skema antiqytetare.

PD ka kërkuar edhe një herë uljen e çmimit të energjisë elektrike, faljen e kamatëvonesave dhe anulimin e faturave abuzive si e vetmja mënyrë për të lehtësuar realisht qytetarët.

Deklarata e plotë e PD

Është shumë arrogante dhe cinike që Ministri i Energjetikës dhe Drejtori i OSHEE të flasin për skema lehtësuese.

Edi Rama, Ministri dhe Drejtori i OSHEE janë krijuesit, organizuesit e zbatuesit e skemës shkatërrimtare energjetike për qytetarët e familjarët, duke i ngarkuar ata me fatura abuzive, duke i vendosur gjoba mbi këto fatura, duke mos dëgjuar ankesat e tyre, duke i rrjepur deri në qindarkën e fundit, duke i burgosur, dhe shpesh duke i shtyrë në akte dëshpërimi vetëvrasjeje.

Rasti dramatik i Qamil Zelës, i Llazi Nasit, i babait në Shkodër që donte të shpëtonte jetën e djalit 7-vjeçar, janë akuza të drejtpërdrejta për qeverinë.

Skema e lehtësimit, është e kundërta e represionit që është duke aplikuar qeveria.

Ka vetëm një skemë lehtësuese për qytetarët;

Të ulet çmimi i energjisë elektrike me të paktën 14%, aq sa premtoi Edi Rama në fushatë.

Të anulohen menjëherë faturat abuzive.

Të shqyrtohen menjëherë ankesat e qytetarëve.

Të falen kamatëvonesat.

Të faturohen në mënyrë të rregullt mbi bazën e konsumit.

Vetëm kjo skemë merr parasysh realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve.

Të tjerat janë fjalë dhe vetëm fjalë.

Qytetarët e ngritën zërin me 22 nëntor, në protestën më masive të viteve të fundit.

Ata kërkojnë zgjidhje.

Nëse zgjidhja nuk vjen, qytetarët do të mblidhen edhe më të shumtë, edhe më të vendosur në protestë popullore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat