Gjici: Ndarja e re territoriale nxit abuzimet me ndihmat ekonomike

Shqipëria

Gjici: Ndarja e re territoriale nxit abuzimet me ndihmat ekonomike

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 14:58

Prefekti i Kukësit, Safet Gjici, ka thënë se faza tranzitore e ndarjes së re territoriale mund të përdoret për të abuzuar me skemën e ndihmës ekonomike në qytetin e Kukësit.

Me ardhjen e qeverisë “Rama” në pushtet, në Kukës u hoqën rreth 1500 familje nga skema e ndihmës ekonomike, pasi nuk e meritonin.

Gjici ka bërë thirrje që të bëhet kujdes me personat që futen në skemën e ndihmës ekonomike, pasi procesi tranzitor i ndarjes së re administrative, rrit mundësinë për abuzime.

“Në reformën e re territoriale, në këtë fazë tranzitore, një pjesë e drejtuesve të njësive vendore mund të mos jenë korrekt në zbatimin e detyrës, respektimit të ligjit, pritjes së popullit, sqarimit të tij etj. Edhe auditi i brendshëm i prefekturës në disa komuna, në kontrollet që ka bërë, ka gjetur dhe shkelje sa i përket skemës së ndihmës ekonomike”, ka thënë Gjici.

Sipas shërbimit social Kukës, janë shtuar edhe rastet e masave ndëshkimore ndaj vetë administratorëve për shkelje të ligjit, kryesisht me familjet e përfshira në mënyrë abuzive në skemën e ndihmës ekonomike.

“Në dhjetor të 2014 janë trajtuar 10 785 familje, ku kemi vërejtje 10 raste, këshillime 22 raste, gjoba 8 raste, largime nga puna 2 raste”, tha drejtori i SHSSH Kukës, Besart Mataj.

Skema e ndihmës ekonomike për vitin 2013 ka shënuar më shumë se 12.500 familje, ndërkohë që gjatë vitit 2014 ky numër arriti në 10.781, ndërsa u larguan nga kjo skemë 1737 familje, të përfshirë në mënyrë abuzive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat