Lame: Berisha legalizoi ndërtimet pa leje në parkun e liqenit

Shqipëria

Lame: Berisha legalizoi ndërtimet pa leje në parkun e liqenit

Më: 29 janar 2015 Në ora: 16:54

Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame akuzoi sot qeverinë e Berishës se menjëherë pas shpalljes së parkut të liqenit si “zonë informale”, ajo u mbush me ndërtime, shtëpi dhe vila banimi, restorante, hotele, madje edhe seli diplomatike, pa leje.

Lame theksoi se një pjesë e këtyre objekteve janë legalizuar në kohën e Berishës, pasi qeveria e tij nuk mendoi asnjë ditë për mbrojtjen e parqeve e të hapësirave publike, po “punoi ditë natë për gllabërimin e tyre”.

“Parku i Tiranës dhe kafshimet që i janë bërë atij në tetë vjetët e qeverisjes së Sali Berishës dhe në katër vjetët e Lulzim Bashës, janë një dhembje pafund për të gjithë ne. Asnjëherë Lulzim Basha nuk denoncoi këtë kafshim të Parkut të Tiranës, ashtu siç nuk denoncoi kafshimin që u bë në krah të Universitetit, ashtu siç nuk denoncoi kafshimin që iu bë në rrugën e Elbasanit, ashtu siç nuk denoncoi, madje i dha vetë lejet në Zonën e Digës. Edhe tani nuk del nga vrima e vet, por nxjerr vjehrrin dhe dhëndrin për të na i lënë në derë ne gjithë doçërit e tyre”, tha Lame..

Më poshtë deklarata e kreut të ALUIZNI-t Artan Lame

Prej një muaji dhëndri i Sali Berishës po vjen vërdallë me dy copa letre, duke lëshuar akuza se ne po përpiqemi të bëjmë legalizime në Parkun e Tiranës. Pasi bëmë verifikimet e nevojshme si për çdo akuzë, vazhduam punën duke e konsideruar thjesht tymnajën e zakonshme.

Sot dhëndri Jamarbër doli dhe përsëriti akuzën e tij dhe, njëkohësisht me të, doli edhe vjehrri Sali me të njëjtën akuzë.

Tani po sqaroj me hollësi çdo gjë:

Kufijtë e Parkut të Liqenit janë miratuar me vendim të KRRTRSH nr.4 datë 23.06.2004. Sipas atij vendimi, zona për të cilën akuzon Sali Berisha sot, përfshihej brenda Parkut të Liqenit.

Por tre vjet më pas, në kuadër të shpalljes së vendbanimeve informale që hyjnë për legalizim, i njëjti institucion, pra KRRTSH, tashmë i drejtuar nga Sali Berisha, ka marrë vendimin nr.1/1 datë 26.10.2007, në të cilin zona e Parkut për të cilën sot Saliu na bërtet neve, vetë Sali e ka shpallur “vendbanim informal”.

Në atë kohë kjo zonë kishte shumë pak ndërtime pa leje, sepse njerzit e kishin frikën që është zonë e Parkut, por mënjëherë pas shpalljes “zonë Informale”, ajo u mbush me ndërtime, shtëpi dhe vila banimi, restorante, hotele, madje edhe seli diplomatike. Një pjesë e këtyre objekteve edhe janë legalizuar, po në kohën e Saliut.

Atëherë çfarë dreqin kërkojnë sot nga ne këta njerëz??

Pse nuk ndërhynë ata më parë kur i kishin jo vetëm të gjitha mundesitë po edhe detyrimet ligjore të mos lejonin valën shumëvjeçare të ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut?

Pse u kthyen pronat në Park dhe pse nuk u kujtuan këta bilbilenj të sotëm të shkatërrimit të djeshëm për këto që i rrokanisin sot kokën publikut?

Përgjigja është e thjeshtë:

Sepse këta nuk u menduan asnjë ditë për mbrojtjen e parqeve e të hapësirave publike, po punuan ditë natë për gllaberimin e tyre.

Parku i Tiranës dhe kafshimet që i janë bërë atij në tetë vjetët e qeverisjes së Sali Berishës dhe në katër vjetët e Lulzim Bashës, janë një dhembje pafund për të gjithë ne.

Asnjëherë Lulzim Basha nuk denoncoi këtë kafshim të Parkut të Tiranës, ashtu siç nuk denonocoi kafshimin që u bë në krah të Universitetit, ashtu siç nuk denoncoi kafshimin që ju bë në rrugën e Elbasanit, ashtu siç nuk denononcoi, madje i dha vetë lejet në Zonën e Digës. Edhe tani nuk del nga vrima e vet, por nxjerr vjehrrin dhe dhëndrin për të na i lënë në derë ne gjithë doçërit e tyre.

Vetëm në muajt e fundit jemi përpjekur të ndreqim sa të mundemi nga këto krime. Duke rikthyer si pjesë të Zonave të Gjelbra gjithë zonën në krah të Universitetit të Tiranës, duke anulluar lejet në Zonën e Digës së Liqenit, duke i rikthyer Parkut atë ç’ka mund ti kthehet nga kjo zonë, duke i dalë edhe kundër vendimit të Saliut që tani pikërisht për këtë gjë hidhet përpjet dhe na akuzon ne.

Së shpejti qeveria do fillojë një projekt për pastrimin e Parkut nga ndërtimet pa leje dhe kjo është arsyeja që Saliu na sulmon neve.

Qeveria ka edhe një program për pyllëzimin e zonave të zhveshura të Parkut, dhe kjo është prap një tjetër arsye se pse Saliu na sulmon neve.

Disa qindra shtëpi të ndërtuara në këto zona që dikur ishin Park, kanë aplikuar për legalizim dhe po trajtohen sipas ligjeve që deri dje u shërbenin vetëm familjarëve dhe sekserëve të Saliut e të Lulit.

Qeveria ka marrë nën mbrojtje të gjithë çfarë ka mbetur nga parku i ngrënë prej Saliut Lulit dhe dhënderrit të tij, dhe gjithçka ka mbetur e gjelbër në kurorën e Tiranës.

Ndërkohë Luli fshihet dhe nuk del gjëkundi. Le të dalë e të thotë se cila nga fjalët e mia të deritanishme, është e pavërtetë.

Le të dalë tek Shtëpia e fëmijës Zyber Hallulli dhe të thotë se nuk është e vërtetë që do t’ju zërë diellin me pallatin që sapo miratoi aty.

Këtu tek ALUIZNI ne e kalojmë ditën duke bërë dy gjëra:

E para, duke u përpjekur të zgjidhim hallin e legalizimit të dhjetra e qindra mijë shqiptarëve që presin nga ne legalizimin e banesave të tyre.

Dhe e dyta, duke larë të pëgërat që na la pas pushteti i Saliut dhe i Lulit. Por tani, që të përpiqen që të pëgërat e tyre të na e shesin për flori safi, nuk durohen më.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat