Kandidatët e PD-së, Basha emra surprizë për deputetët

Shqipëria

Kandidatët e PD-së, Basha emra surprizë për deputetët

Më: 28 janar 2015 Në ora: 08:23

Një ditë pas mbajtjes së protestës, në selinë blu është mbledhur një pjesë e grupit të deputetëve të djathtë për të diskutuar për bilancin e saj dhe për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen në 21 qershor. Kur na ndajnë dhe më pak se 6 muaj nga dita e zgjedhjeve vendore, PD-ja vijon të jetë turbullt dhe e pavendosur për emrat e disa prej bashkive që pritet të fusë në garë përballë kandidatëve të së majtës. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se propozimi i emrave “të fortë” për qytetet ku PD-ja synon të korrë sukses nga disa deputetë të djathtë për zonat tyre, ka vënë në dilemë jo pak kreun e PD-së Lulzim Basha. Mësohet se Basha ka nisur prej ditësh një fushatë takimesh me deputetët duke analizuar kandidatët e mundshëm. Ai përmes këtyre takimeve është po përpiqet të mbledhë informacione në mënyrë të veçantë për kandidatët që ka planifikuar të nxjerrë në garë në bashkitë kryesore dhe jo vetëm.

Konsultimet

Mësohet se Basha është konsultuar me deputetët e tij për emrat që po qarkullojnë për bashkinë e Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Vlorës, Sarandës dhe Tiranës. Emri i kandidatit të Tiranës mes ligjvënësve demokratë, nuk është diskutuar gjatë pasi, për këtë mendohet se Basha do të vendosë pa u konsultuar me asnjë. Ndërkohë të hënën, Jamarbër Malltezi deklaroi se Basha do të kandidojë sërish për Bashkinë e Tiranës. Por vetë Basha ka përsëritur se ai nuk do të kandidojë. Sipas burimeve, kreu demokrat Lulzim Basha ka komunikuar me deputetët e Shkodrës, Helidon Bushatin dhe Voltana Ademin për kandidaturat e mundshme që mund t'i nxjerrë demokratët fitues në bastionin e tyre. Kreu demokrat ka kërkuar të dijë prej tyre më shumë për opinionin që kanë shkodranët për dy të përfolurit Bardh Spahinë dhe Qashif Hoxhën. Po ashtu mësohet e demokratët kanë hedhur në diskutim edhe kandidimin e Aurel Bylykbashit për bashkinë e Elbasanit. Rezultatet e dobëta në zgjedhjet e 2013-ës në Elbasan e kanë rihapur listën e emrave që mund të propozojnë demokratët për këtë qytet, pasi Partia Demokratike ka marrë 33 mijë vota përballë rreth 49 mijë votave të Partisë Socialiste. Për të përmbysur diferencën prej rreth 16 mijë votash të socialistëve, demokratëve i duhet një figurë popullore me mbështetje të gjerë. Për këtë shkak mësohet se Basha ka hedhur dyshime se një diferencë kaq të madhe vështirë se mund ta bëjë Aurel Bylykbashi. Mes emrave që Basha ka hedhur në diskutim për qytetin e Elbasanit, ka qenë edhe ai i deputetit të Elbasanit, Eduard Selami, por se ky i fundit është banor i Tiranës dhe vështirë se kjo mund të ndodhë.

Një zëvendësim i Bylykbashit me Selamin bëhet e ditur se nuk i ka pëlqyer deputetit Arben Islami. Nga ana tjetër ligjvënësit demokratë i kanë shprehur kreut demokrat shqetësimin e tyre për atë që mund të sjellë ndarja e re territoriale në luhatshmërinë e votave në zona të caktuara. Sipas tyre ndarja e re favorizon të majtën në Durrës, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Tiranë por dhe në Shkodër. Një qytet tjetër nga i cili kreu i PD-së ka marrë informacione nga deputetët është Vlora, pasi në këtë qytet për demokratët shanset janë minimale, sepse diferenca nga zgjedhjet parlamentare mes dy partive është shumë e thellë. Në to Partia Demokratike ka marrë pak më tepër se 20 mijë vota, ndërsa Partia Socialiste mbi 42 mijë vota. Edhe pse përmbysja në qytetin bregdetar duket e pamundur demokratët nuk mendojnë kështu. Sipas tyre pakënaqësia në këtë qytet është rritur shumë gjatë qeverisjes së Ramës dhe se nxjerrja e një kandidati të fortë në Vlorë mund të rifuste ata në lojë. Për emrat e mundshëm që mund të jenë kompetitiv në bashkinë e Vlorës ka raportuar para Bashës numri dy i PDsë Arben Ristani. Mësohet se deputeti i Vlorës i ka rekomanduar Bashës që demokratët të mos dalin në Vlorë me kryetarin e degës, Mojsi Meminaj por të gjejnë një emër tjetër. Kandidati i së djathtës për Durrësin shihet si çështje e mbyllur. Deklarata e aleatit më besnik të PD-së Fatmir Mediut, duke prezantuar Agron Dukën për kreun e bashkisë së Durrësit ka mbyllur në një farë mënyre orekset e PD-së për këtë qytet. Pritet që në ditët në vijim Basha të konsultohet për emrat e mundshëm për qytetet e tjera si Berati, Fieri, Lushnja, Kukësi, Pogradeci, etj.

Basha përplaset me Boden për kandidatin e Korçës

Kreu demokrat Lulzim Basha ka marrë informacione edhe për situatën në Korçë nga deputeti i zonës Ridvan Bode. Për këtë bashki Partia Socialiste pritet të kandidojë Sotiraq Filon, kryetarin aktual të Bashkisë, dhe përballë tij PD-ja si opsion ka Andrea Manon, aktualisht kryetari i PD-së në Korçë. Veç Manos kreu demokrat gjatë konsultimit që ka bërë me Boden ka shtruar si opsion edhe deputetin Gjergj Papa, por mësohet se Bode ka insistuar që miku i tij Mano të kuotohet. Ai e ka cilësuar atë si njeriun e duhuri dhe mund të ulë diferencën e madhe që ka ekziston në Korçë mes dy forcave politike. Por CV-ja e Manos nuk vlerësohet nga PD-ja si mjaft pozitive. Kjo pasi gjatë qeverisjes së PD-së në vitet 2005- 2009, ishte drejtor i arsimit të rrethit në Korçë, kohë në të cilën ai dhe u përfol dhe akuzua për emërime korruptive e klienteliste. Në atë kohë ai ishte përfaqësues i PDR-së së Genc Pollos. Në vitin 2009, Mano kandidoi dhe humbi për postin e kreut të PD-së përballë Gjergji Papës, duke mos mundur të merrte më shumë se 30 për qind të votave të strukturave të PD-së. Në vitin 2011 ai kandidoi në garën për Bashkinë e Korçës, pasi prej dy vjetësh ishte prefekt i këtij qarku, por nuk mundi të thyente Niko Peleshin që e mundi atë me mbi 2 mijë vota. Mano edhe pse humbës nuk dha dorëheqjen nga prefekt i Korçës deri në fund të qeverisjes së PD-së. Në vitin 2014 Andrea Mano u zgjodh kryetar i PD-së së Korçës. Në mbledhjen e fundit të zhvilluar nga dega e PD-së në këtë, Mano është propozuar si kandidat nga Bode duke marrë mbështetjen e shumicës së kryesisë së degës dhe shikohet si i vetmi person që mund të thyejë “furinë” e majtë në Korçë. Gjithsesi gjithçka i mbetet garës së qershorit. Në garë për Këshillin Bashkiak të Korçës për herë të parë do të ketë edhe përfaqësues nga komunat të cilët pritet të jenë në listat fituese por edhe në pika kyçe për të bërë diferencën e votave. Në këtë garë do të përfshihen edhe aleatët e vegjël të PS-së dhe PD-së të cilët po përzgjedhin emra sa më përfaqësues me synim marrjen e vendeve në Këshill dhe maksimizimin e votave në zgjedhjet vendore të qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat