Balla: Çështja çame, prioritet në marrëdhëniet me Greqinë

Shqipëria

Balla: Çështja çame, prioritet në marrëdhëniet me Greqinë

Më: 26 janar 2015 Në ora: 20:47

Si do të jenë marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, pas ndryshimit të qeverisë në Greqi? Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë tradicionalisht të shkëlqyera, pavarësisht se kush qeveris. Në një intervistë për A1Report, Balla tha se pika e parë e agjendës së Tiranës zyrtare, është çështja çame dhe ajo për njohjen e pensioneve.

“Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë tradicionalisht të shkëlqyera, pavarësisht se kush e qeveris Greqinë. Marrëdhëniet mes dy qeverive do jenë të nivelit të shkëlqyer, të zgjedhjes së disa çështjeve që janë për t’u zgjidhur. Në agjendën politikë të palës shqiptare është çështja çame. Tjetër është njohja e pensioneve, Greqia është që duhet domosdoshmërish të njihen pensionet. Duhet ta hedhim këtë hap të madh. Nga ana tjetër Tsipras ka mbajtur një pozicion pozitiv ndaj emigrantëve shqiptarë”, deklaroi deputeti Balla.

Deputeti socialist tha se kryeministri i ri i Greqisë do t’iu qëndrojë angazhimeve të marra, si marrëveshjet me FMN-në apo dhe qëndrimi në zonën euro. Basha theksoi se për Greqinë, nevojitet një stabilitet politik, pasi nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, do të ndikojnë negativisht në ekonomi.

“Ndryshimi i qeverisë në Greqi zgjat tre ditë. Ky është një model pozitiv, është një leksion dhe për Shqipërinë për të parë dhe adresuar ndoshta dhe ndryshimet e nevojshme ndoshta dhe në Kushtetutë, që procesi i tranzicionit të jetë dhe më i shpejtë. Duke marrë parasysh tranzicionin tremujor në Shqipëri, ajo i bëri keq vendit dhe më pas qeveria Rama morri masa për rivendosjen e shtetit ne detyrë. Sot në Shqipëri ka shtet, ajo që ka rilindur është marrëdhënia e individit me shtetin. Ne gjetëm një shtet që ishte marrë peng”, deklaroi Balla.

Deputeti Socialist, Taulant Balla u shpreh se ndryshimi në Greqi me fitoren e SYRIZËS, ishte i shumëpritur, si rasti i Shqipërsë në 23 qershor.

“Sondazhet e fundit flisnin qartë se diferenca mes SYRIZA-s dhe Demokracisë së Re ishte bindëse. Në Greqi kemi një qeveri të re, vlen për tu theksuar se SYRIZA nuk mund të qeverisë e vetme por në koalicion. SYRIZA është një koalicion i vështirë për t’u administruar, megjithatë ndryshimet janë të mira. Është një lloj ndryshimi i shumëpritur, si në 23 qershor dhe tani në Greqi. Kanë marrë një votëbesim popullor për të ndryshuar vendin. Ideologjikisht dhe konceptet për dy vendet janë të ndryshme. Nëse Tsipras ka marrë përsipër të ulë masat shtrënguese, mazhoranca jonë e morri një mandat qeverisës të 1 milion qytetarëve për të ndalur rënien ekonomike, zhytjen në batak të qeverisjes të kapur peng nga korrupsioni. Ne morëm një mandat për ta nxjerrë Shqipërinë në një proces riintegrues. Ishte bllokuar procesi i marrjes së statusit kandidat, tani Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt BE. Qytetarët shqiptarë kanë besim sot tek Edi Rama që do të ndryshojë dhe po e ndryshon Shqipërinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat