Gjykata e Lartë, "ligjet" rrëzojnë dekretin e presidentit Nishani

Shqipëria

Gjykata e Lartë, "ligjet" rrëzojnë dekretin e presidentit Nishani

Më: 26 janar 2015 Në ora: 19:35

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar dekretin e presidentit Buajr Nishani për Gjykatën e Lartë, ndërsa ky i fundit e riktheu për shqyrtim. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se ligji s’ka lidhje me reformën në drejtësi. Sipas tij nuk duhet mendimi i Komisionit të Venecias për çdo ligj.
Presidenti Bujar Nishani ktheu në 9 janar për rishqyrtim në Kuvend disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, i miratuar në parlament në muajin dhjetor, pasi shumica e dispozitave të tij bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit në dekret parashtronte arsyet e kthimit të këtij ligji, i cili, sipas tij, nuk është konsultuar më parë me Presidentin e Republikës, sikur pretendohet.

“Presidenti është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës dhe për më tepër në plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Bashkimit Europian, përfshirë këtu reformën në gjyqësor. Në këtë drejtim, në funksionin që ushtroj i kam kërkuar të gjitha palëve një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse referuar ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë, duke filluar nga BE, përmes misionit Euralius IV dhe për t’u çertifikuar në fund nga ana e Komisionit të Venecias”, thuhet në relacionin që shoqëron dekretin.

Sipas Nishanit, Progres Raporti i fundit, të cilit i referohen deputetët propozues të ligjit, përcakton ndër të tjera se statusi i Gjykatës së Lartë dhe procesi i emërimit të anëtarëve të saj mbeten shqetësuese në kuptimin e politizimit të mundshëm, për sa kohë dispozitat kushtetuese përkatëse nuk ndryshohen. Ky ligj i kaluar në mënyrë të përshpejtuar, vijon ai, nuk i shërben qëllimit për të cilin u draftua dhe për më tepër krijon një imazh negativ para partnerëve ndërkombëtarë referuar pritshmërive të tyre sa i takon reformës në drejtësi.

Presidenti gjykon se nuk ka asnjë arsye objektive që justifikon ndryshimin e përshpejtuar të ligjit jashtë reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor. Përkundrazi, Kuvendi duhet të respektojë parimin e luajalitetit kushtetues në këtë proces të rëndësishëm, ashtu siç është orientuar edhe nga Komisioni i Venecias.
Kreu i shtetit argumenton se ngritja dhe funksionimi i Këshillit për Emërimet në Gjykatën e Lartë cënon nenin 136/1 të Kushtetutës dhe vendimin nr. 2/2005 të Gjykatës Kushtetuese që ka bërë interpretimin e këtij neni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat