Tjetër përplasje mes Ramës dhe Blushit

Shqipëria

Tjetër përplasje mes Ramës dhe Blushit

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 09:26

Mes deputetit Ben Blushi dhe Kryeministrit Edi Rama ka pasur një tjetër përplasje, pas dyerve të mbyllura, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Sërish është debatuar për çështjen e ndërtimeve pa leje. Panorama ka zbardhur debatin e plotë. Blushi i thotë Ramës se ka kosto mënyra se si ndërhyn Edi Rama në debat, kurse Rama iu përgjigj duke thënë se ai flet çfarë të dojë dhe kur të dojë.

Në seancën e të enjtes, Rama u revoltua kur Blushi i përmendi cështjen e burgut për ndërtimet pa leje, duke bërë një krahasim me komunizmin. Rama i tha se ai po përdor argumentet e opozitës

DEBATI NE GRUP

Ben Blushi: Ka kosto në mënyrën se si ndërhyn Kryeministri në këtë debat, që është shumë teknik.

Edi Rama: Ka kosto? Përsa i përket anës teknike, të dy teknikisht nuk duhet të merremi me këtë punë.

Ben Blushi: Më lër të mbaroj pra…

Edi Rama: Meqë fole për anën teknike.

Ben Blushi: Nuk e kisha për atë anë teknike që thua ti. Por në qoftë se ka një amendament të sjellë nga dy deputetë dhe nuk është propozim i qeverisë hajde të bëjmë një debat teknik dhe të mos hapim debate të tjera në Parlament. Kjo nuk na vlen as ne dhe as qeverisë, në qoftë se unë, apo edhe shumë të tjerë këtu, në parim janë kundër burgut, kjo nuk do të thotë që jemi kundër qeverisë, këtu the që po përdor të njëjtin argument të opozitës.

Edi Rama: Unë ndërhyra se…

Ben Blushi: Ky nuk ishte amendament i qeverisë, por i deputetëve.

Edi Rama: E para, unë nuk thashë që ti po imiton opozitën, por thashë që vërejtjen për ta përdorur me masë fjalën “burg”, e kam dëgjuar me shumë zhurmë të madhe nga opozita dhe nuk është e re për mua. Kjo ishte ajo që thashë. E fundit, e marr fjalën sa herë dua dhe flas për çfarë të dua, sepse këtë të drejtë ma jep Rregullorja e Kuvendit. Dhe sigurisht do të respektoj edhe fjalën e kujtdo tjetër. Por këtu, në këtë rast, ka një problem që ne të frenojmë përfundimisht dhe ta bëjmë të ndëshkueshme në mënyrë të paanashkalueshme nga artificiet e gjykatave, apo qoftë edhe nga prokurorët.

“Ndërtimi pa leje” është në Kodin Penal sot, nuk është se e funsim ne. Është, nuk ka funksionuar dhe për këtë arsye ne kemi sjellë këtë dispozitë. Dhe nëse nisemi nga problematika në terren, kemi kërkuar që të përfshihet i gjithë zinxhiri dhe jo vetëm pronari. Sa i përket anës teknike, e thashë s’kemi problem me formulimin, problemin e kemi të mos devijojmë nga qëllimi. Pastaj për të tjerat, diskutojmë sa të duash, por fakti që bëhet lojë me fjalën burg, apo me shtetin policor, apo ekzagjërimi i dënimeve e kështu me radhë, është fakt. Dhe këtë lojë e bën opozita për qëllimet e saj. Unë e kam dëgjuar dhe stërdëgjuar dhe nuk e kam fare problem ta ridëgjoj, por vërejtjen nuk e marr përsipër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat