Borxhi i jashtëm do të negociohet nga Ministria e Financave

Shqipëria

Borxhi i jashtëm do të negociohet nga Ministria e Financave

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 09:07

Komisioni i Ekonomisë pranoi dje sugjerimet të shmangur Kuvendin nga diskutimi i çdo marrëveshjeje huaje dhe kjo kompetencë të jetë e gjitha në dorë të ministrit të Financave. Në mbrojtje të kësaj teze, Shkëlqim Cani, ministër i Financave u shpreh se kjo mënyrë është një praktikë jo vetëm e vendeve të zhvilluara por edhe të atyre në zhvillim. Relatori për këtë projektligj, Anastas Angjeli, argumentoi se kjo mënyrë synon rritjen e efiçencës në marrjen e një huaje. Përmes këtij projektligji, qeveria kërkon të reduktojë kompetencat e Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve të huave ndërkombëtare.

Aktualisht në Kushtetutë thuhet se çdo hua ndërkombëtare miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar më herët, se ky projektligj synon të sjellë më shumë fleksibilitet në negocimin e kredive sidomos në tregun ndërkombëtar. Specifikisht kjo vlen për Eurobondin që qeveria synon të emetojë gjatë vitit që vjen. Ndryshimet e propozuara synojnë të përmirësojnë qartësinë ligjore në standardet e kërkuara nga tregjet ndërkombëtare, me qëllim që shtetit shqiptar t’i jepet një qasje në tregjet ndërkombëtare të parasë, duke synuar në uljen e kostos së huamarrjes shtetërore. Me anë të këtyre ndryshimeve synohet të qartësohen procedurat, si në rastin e huamarrjes nëpërmjet instrumenteve të së drejtës private, ashtu edhe në rastin kur kjo realizohet ndërmjet dy subjekteve sovrane.

Ndërkohë që niveli i borxhit që Ministria e Financës mund të marrë nuk do të prekë nivelet e borxhit të përcaktuar nga qeveria, por synohet që ky borxh të jetë gjithmonë në nivele më të ulëta. “Nuk mund të marrim borxh më shumë se është i përcaktuar në Kuvend. Nuk kërkojmë që Kuvendi te merret me kontratat dhe instrumentet, ne kërkojmë lejen e borxhit. Në e kemi miratimin për borxhin e 2015-ës. Nuk mund të bëjmë asnjë kontratë që cenon nivelin e borxhit. Do të vijmë në Kuvend për të kërkuar një nivel të ri borxhi”- u shpreh Cani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat