Energjia, Veliaj: Ta paguajmë për të rritur investimet

Shqipëria

Energjia, Veliaj: Ta paguajmë për të rritur investimet

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 17:09

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, iu bashkua sot aksionit të OSHEE-së kundër vjedhjes së energjisë elektrike në kryeqytet.

Por takimi i tij u fokusua jo të debitorët, por te qytetarët dhe bizneset e rregullt, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, për t’i falenderuar e shtrënguar dorën atyre që paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Sot patëm një mundësi për t’u shtrënguar dorën dhe për t’u thënë faleminderit qytetarëve që e paguajnë energjinë elektrike. Këto kohë jemi marrë shumë me ata që abuzojnë, por në fakt njerëzit më të rëndësishëm nuk janë ata që abuzojnë, por njerëzit e ndershëm, që paguajnë taksat, sigurimet shoqërore dhe energjinë elektrike”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, gjatë këtij viti ekonomia gjeneroi 81.352 vende të zbardhura ose të reja pune, por me paratë e rikuperuara nga shmangia e abuzimeve me energjinë elektrike, ka mundësi për më shumë investime, të cilat më pas prodhojnë punësim.

“Ashtu siç doli edhe sot nga vizita e shkurtër në përkrahje të aksionit të OSHEE-së për pagesat e energjisë elektrike, qytetarët e ndershëm nuk mungojnë, madje janë në shumicë. Një qytetar i ndershëm e kupton se duke paguar energjinë elektrike ndihmon ekonominë, buxhetin e shtetit dhe hapjen e vendeve të punës", tha Veliaj.

Ministri falenderoi në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë qytetarët e rregullt me pagesat e energjisë dhe u shpreh se aksionet e suksesshme të OSHEE-së kanë disiplinuar situatën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat