Pavarësi e Tiranës, Basha: Do të rivlerësojmë figurat patriotike të Tiranës

Shqipëria

Pavarësi e Tiranës, Basha: Do të rivlerësojmë figurat patriotike të Tiranës

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 11:19

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në fjalën e tij në ditën e Pavarësisë së Tiranës falënderoi figurat dhe patriotët tiranas për kontributin e tyre për ngritjen e flamurit në Tiranën që asokohe ende nuk ishte kryeqytet.

Basha tha se patriotët tiranas kurorëzuan me sukses ngritjen e flamurit në këtë qytet megjithëse ata vuanin presionin dhe shtypjen. Më tej ai tha se jemi këtu për të falënderuar veprën dhe kurajën e tyre që arritën ta bëjnë Tiranën të pavarur.

“Ju siguroj që frymëzimi që marrim nga kjo ngjarje duhet të shërbejë për të na bashkuar të gjithë rreth idealit të Shqipërisë evropiane dhe të shkëputemi nga e shkuara e errët...Të krijojmë një Shqipëri të zhvilluar për shqiptarët dhe një vend ku të ketë shpresë për të jetuar”, tha kreu i Partisë Demokratike.

Gjithashtu Basha njoftoi para të pranishmëve se do t’i propozojë këshillin bashkiak miratimin e ditës së falënderimeve për tiranasit, por edhe për krijimin e komisionit për emërimin e rrugëve që do të mbajnë emrat e patriotëve të këtij qyteti.

“Kam nderim të njoftoj me këtë rast se do t’i propozoj Këshillit Bashkiak miratimin e ditës së falënderimeve për tiranasit, jo për dhembshuri, por për fisnikërinë e tyre...Gjithashtu do të propozojë edhe nismën për krijimin e komisionit për emërimin e rrugëve me emrat e tyre. Zoti e bekoftë Tiranën, zoti e Bekoftë Shqipërinë”, tha Basha.

Në fund të fjalimit, Basha me të pranishmit e tjerë bënë inaugurimin e bustit të patriotit të shquar arbëresh, Jeronim Derada, i vendosur te pedonalja, përball Kuvendit të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat