Energjia, Gjiknuri: Lehtësira për debitorët

Shqipëria

Energjia, Gjiknuri: Lehtësira për debitorët

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 14:53

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ndoqi nga afër operacionin e OSHEE-së, kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Gjatë inspektimit të punës së OSHEE-së, ministri deklaroi se deri tani, janë konstatuar shumë debitorë, dhe se operacioni do të vijojë, pasi nuk është thjesht një aksion i rastit, por një qasje e vazhdueshme që do të ketë shteti ndaj të gjithë debitorëve të energjisë dhe ndaj të gjithë hajdutëve të saj.

“Në qoftë se do të duam që në të ardhmen të kemi çmime të qëndrueshme të energjisë elektrike, kyçi i suksesit është stabiliteti financiar i sektorit. Do të thotë që të gjithë njerëzit duhet të paguajnë, mos të krijojnë më debi, që sektori të ecë me këmbët e veta. Qeveria për këtë po punon dhe realisht jemi në një rrugë të mbarë, kemi shumë raste konstatimesh të paligjshmërisë, kemi procedime penale dhe ka një ndërgjegjësim të publikut. Disa të dhëna që ju interesojnë edhe njerëzve, shohim një fillim të formalizmit të sektorit, ka mbi 5 mijë kërkesa për kontrata të reja”, tha ministri.

Gjiknuri njoftoi se janë marrë masat e nevojshme për matjen në mënyrë të rregullt të energjisë së harxhuar, dhe se ministria ka krijuar disa lehtësira për ata debitorë të cilët kanë akumuluar në vite debi, për t’i shtrirë pagesat në kohë. Për të krijuar këto lehtësira, ministri tha se korporata po zgjedh skemat e saj.

“E thashë, shumë shpejt këto do të jenë publike në zyrat e konsumatorit dhe besoj që është e tepërt për mua të them të gjitha skemën. E rëndësishme është që po mendojmë edhe për t’ju ardhur në ndihmë atyre njerëzve që kanë akumuluar debi”, tha Gjiknuri.

Ministri deklaroi se falë këtij operacioni, arkëtimet janë rritur në një nivel 50%, dhe se janë formalizuar shumë kontrata:

“Ka shumë debitorë të cilët kanë bërë marrëveshje për shlyerje me këste. Të gjithë këto elementë janë pozitivë, por mbi të gjitha janë dy faktorë të dukshëm, të rëndësishëm; kemi një ulje të kërkesën për konsum 15%, çka do të thotë që njerëzit kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm, si dhe një rritje të faturimit mbi 11% mesatare”.

Në përfundim ministri shtoi se këtë vit janë grumbulluar mbi 70 milion dollarë më shumë sesa vitin e kaluar. Ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë asnjë amnisti dhe falje:

“Amnistitë dhe faljet në Shqipëri kanë nxitur ilegalitet, kanë nxitur mosbindje. Është fakt se kur u bë amnistia në vitin 2012 nga qeveria e Sali Berishës, arkëtimet vajtën në masën 64%. Njerëzit duhet ta kenë të qartë, e vetmja mundësi që do t’ju ofrohet dhe do t’ju ofrohen mundësi jashtëzakonisht lehtësuese është pagesa e shtrirë në kohë dhe patjetër që i shërben të gjithë familjeve në nevojë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat