Konflikti Polici-Bashki, ndërpriten punimet pa leje tek “Harry Fulz”

Shqipëria

Konflikti Polici-Bashki, ndërpriten punimet pa leje tek “Harry Fulz”

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 10:29

Nisi sërish gjatë mbrëmjes konflikti Policia e Tiranës-Bashki. Shkaku mbetet i njëjtë me atë të para tre muajsh, vendosja e një semafori pranë shkollës “Harry Fulz”. Televizioni “A1 Report” filmoi pas mesnate punëtorët e Ndërmarrjes numër 1 të Bashkisë së Tiranës, teksa kryenin punime në këtë të pjesë të Unazës.

Sipas pamjeve filmike mbi 10 punëtorë së bashku me mjetet e tyre, një ekskavator, kamion dhe ruli për nivelimin e rrugës, ndërpresin punimet e më pas largohen.

Shkak sipas policisë për ndërprerjen dhe largimin e punëtorëve është bërë mungesa e një leje për kryerjen e punimeve. Sipas Policisë së Tiranës, blutë e Komisariatit numër 3 të kryeqytetit kanë ndërprerë punimet pasi nuk ka pasur leje nga ana e Bashkisë.

E kontaktuar nga “A1 Report”, Bashkia e Tiranës tha se punimet po kryhen pasi Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtë për ndërhyrjen në këtë aks rrugor. Po ashtu, Bashkia e Tiranës tha se punëtorët kanë hequr trafikndarësen pasi kishte mbetur e dëmtuar nga koha kur nisën për herë të parë punimet për ngritjen e semaforit, në muajin gusht. “Me heqjen e trafikndarëses do të asfaltohet pjesa e dëmtuar”, tha Bashkia e Tiranës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat