Ligjin “Për Avokatin e Popullit", debate mes Xhafajt dhe Totozanit

Shqipëria

Ligjin “Për Avokatin e Popullit", debate mes Xhafajt dhe Totozanit

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 09:18

Diskutimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për Avokatin e Popullit” i cili ka zgjatur për disa mbledhje me radhë ka sjellë debate dje në Komisionin e Ligjeve. Avokati i Popullit, Igli Totozani kërkoi sërish kohë duke deklaruar se nuk ishte njohur me propozimet e fundit që ndryshonin vetëm dy nene të draftit, të mbetura pezull nga mbledhja e fundit. Kjo shfaqi pakënaqësi tek kryetari Fatmir Xhafaj sipas të cilit amendimet ishin vetëm reflektim i diskutimeve të bëra në prani edhe të Avokatit të Popullit. Ndërsa relatorja Vasilika Hysi theksoi se drafti i ishte dërguar më herët Avokatit të Popullit. Këto shpjegime nuk kënaqën Totozanin që këmbënguli për kohë shtesë.

Diskutimet çuan në shtyrjen e diskutimeve për sot. Komisioni miratoi ndërkohë nen për nen projektligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. I pranishëm, në mbledhje ishte dhe Drejtori i Kabinetit në Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, Lorin Ymeri. Projektligji rregullon marrëdhëniet që krijohen në një proces të konsultimit publik, transparent, gjithëpërfshirës, të realizuar në kohë dhe efektiv ndërmjet organeve publike qendrore dhe vendore dhe palëve të interesuara, në procesin e vendimmarrjes së projekt-akteve si projektligje, dokumente strategjike kombëtare dhe lokale, si dhe politikave me interes të lartë publik.

Debatet mes Xhafajt dhe Totozanit

Igli Totozani: Ne po njihemi tani me këtë material zoti kryetar, ndoshta do na duhet të paktën gjysmë ore ta lexojmë.

Fatmir Xhafaj: Keni ndonjë gjë për nenin 9 të lutem sepse janë diskutuar, janë thjesht riformulime.

Igli Totozani: Ka gjera të reja dhe ne tani po i hedhim një sy.

Fatmir Xhafaj: Edhe njëherë sepse ju në çdo mbledhje që vini kërkoni të shtyhet. I dëgjuam me shumë vëmendje dhe respekt vërejtjet dhe sugjerimet tuaja.

Igli Totozani: Dhe unë me shumë respekt po them...

Fatmir Xhafaj: Ndryshimet janë reflektim i atyre që janë diskutuar.

Igli Totozani: Disa nuk janë reflektime.

Fatmir Xhafaj: Neni 9, zgjedhja e Avokatit të Popullit keni gjë konkretisht?

Igli Totozani: A mund të flasim më qetë?

Fatmir Xhafaj: Qetë normalisht.

Igli Totozani: Këto janë ndryshime që kemi nevojë ti shohim.

Fatmir Xhafaj: Zotëri i kemi kaluar në mbledhjen e kaluar.

Igli Totozani: Nuk më kujtohet që e kemi kaluar për shembull që mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës bëhet pjesë si nënseksion pranë seksionit të policisë.

Fatmir Xhafaj: Nuk kemi arritur tek ai nen. E kemi kaluar...

Igli Totozani: Jo me këtë zgjidhje

Fatmir Xhafaj: Dakord vazhdojmë, a keni gjë me nenin 9?

Igli Totozani: Unë e kam vështirë kështu.

Vasilika Hysi: Zoti Totozani është kontaktuar dje dhe pardje për të shprehur objeksionet e veta dhe nuk ka objeksion. Kjo është zbardhje e procesverbalit të diskutimeve. Nuk di çfarë kërkohet sot. Neni 9 është propozim i bërë nga ju për t’iu referuar nenit 111 të rregullores së kuvendit.

Igli Totozani: Nuk më duket se kemi rënë dakord.

Fatmir Xhafaj: Kalojmë nen për nen dhe nëse është e nevojshme e shtyjmë atje. Ka tre ditë që të vijmë vërdallë zotrote, gjithë stafi i kuvendit.

Igli Totozani: Do iu lutesha që mos kemi këtë lloj komunikimi si qytetar dhe si Avokat i Popullit.

Fatmir Xhafaj: Ka 3 ditë që vijnë vërdallë pranë zyrës suaj. Pse nuk jeni shprehur?

Igli Totozani: Ky draft ka ardhur tani në mëngjes.

Fatmir Xhafaj: Mirë merrni kohë 30 minuta të shqyrtoni projektin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat