Tahiri: Shqipëria jo më në hartën e zezë të drogës

Shqipëria

Tahiri: Shqipëria jo më në hartën e zezë të drogës

Më: 23 shtator 2014 Në ora: 12:30

Në përfundim të aksionit kombëtar kundër kultivimit të bimëve narkotike, Ministria e Punëve të Brendshme prezanton rezultatet e operacionit të shtrirë në muajt mars-shtator 2014 nga Policia e Shtetit.

Gjatë kësaj periudhe janë organizuar disa operacione të rëndësishme për eliminimin e bimëve narkotike, ku një prej tyre është edhe thyerja e ‘mitit’ të Lazaratit ku u asgjësuan tonelata me kanabis, dhe operacioni tjetër në veri në Dukagjin, ku u zbuluan mijëra rrënjë kanabis sativa.

I pranishëm në prezantimin e këtij raporti, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deklaroi se Shqipëria sot nuk është më pjesë e hartës së zezë si vend origjine për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi faktin se në pak muaj janë arritur rezultate të cilat nuk janë arritur përgjatë 6 apo 8 viteve të fundit, dhe këto rezultate pozitive kanë ardhur si rrjedhojë e një pune të mirë organizative dhe vullneti të plotë për të arritur rezultate konkrete.

“Fillimisht pastruam nga Policia ato figura të lidhura me krimin e që rëndonin imazhin e uniformave blu. Më tej, punuam ngushtësisht me partnerët e huaj, në veçanti me Policinë Italiane (Guardia di Finanzzan), me misionin PAMECA, ICITAT etj, duke krijuar një polici të denjë për të ndërhyrë në aksion, ç’ka solli dhe neutralizimin e mbi 41 grupeve kriminale.

U desh që deri në dhjetor të ndërprisnim rrugët e trafikimit të drogës që ishte mbjell e korrur para se qeveria të mandatohej në parlament dhe të rindërtonim besimin e humbur. Na u desh të pastronim radhët e policisë nga personat e lidhur me kultivuesit dhe trafikuesit dhe të ndalonim që historia të përsëritej. Filluam një fushatë sensibilizimi takimi me qytetarët. Ka pasur raste kur veprimet e policisë keqkuptoheshin si rasti i lojës së futbollit në Lazarat.

Sot është më e lehtë të kuptohet se ishte e gjitha pjesë e një skenari të mirëmenduar dhe mirëplanifikuar. I kërkova ministrit të Brendshëm të Italisë për të identifikuar nga ajri çdo parcelë me drogë. Parcelën e parë e identifikuam në muajin mars në Berat. Organizuam operacionin më të madh antidrogë në Evropë atë në Lazarat. Pas tij një tjetër operacion në shkallë të gjerë, ai në Dukagjin”, deklaroi Tahiri.

Ministri i Brendshëm raportoi se nga muaji mars e deri më sot janë asgjësuar 2214 parcela me kanabis. Janë asgjësuar 53177 rrënjë kanabis më shumë se rrënjët e shkatërruara gjatë 6 viteve të fundit. Janë sekuestruar 1017 tonë marijuanë më shumë se gjatë 8 viteve të fundit të marra së bashku. 1118 persona janë proceduar penalisht dhe 41 grupe kriminale janë shkatërruar.

“Vlera monetare e drogës të asgjësuar është 6,4 miliardë euro. Një shifër që lë pafjalë secilin prej nesh. Deri dje ku kanë shkuar këto para?

Janë para që kanë furnizuar botën e krimit për të korruptuar drejtësinë politikën për të dërrmuar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe për të krijuar një shoqëri të deformuar. Nuk mjaftohemi dhe nuk do ndalojmë me kaq.

Trafiku i drogës vijon të mbetet kërcënim. Jemi shumë të bindur që kemi shumë për të bërë. Do vazhdojmë të mos lejojmë asnjë rrënjë kanabis dhe të marrim në hetim pasuritë e pajustifikuara dhe sekuestrim të aseteve kriminale”, u shpreh ministri Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat