Plagosja e gjimnazistes, shkarkohet drejtori dhe mësuesja e shkollës

Shqipëria

Plagosja e gjimnazistes, shkarkohet drejtori dhe mësuesja e shkollës

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 16:18

Pas ngjarjes së ndodhur në shkollën “Hamdi Arapi” në fshatin Gjormë të Vlorës, ku gjimnazisti 17-vjeçar A.Arshija ka plagosur me armë zjarri në ambientet e shkollës bashkëmoshataren e tij E.Totaj, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka shkarkuar menjëherë nga puna drejtorin dhe një mësuese, ndërsa për një tjetër mësues është dhënë vërejtje me paralajmërim.

Ministria e Arsimit dhe e Sportit përmes një komunikimi për shtyp njofton se për ngjarjen në fjalë, është shkarkuar menjëherë nga puna drejtori i shkollës me iniciale E.A, mësuesja me iniciale D.A, ndërsa është dhënë vërejtje me paralajmërim edhe për mësuesin D.Z.

Ministria i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Vlorës, të ndalet me përgjegjësi te ky rast i rëndë dhe të marrë të gjitha masat, e cila gjithashtu njofton se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme po harton një plan konkret për sigurinë në shkolla.

Po ashtu MAS thekson se çdo mësues dhe drejtues shkolle ka përgjegjësinë institucionale të informimit të strukturave përkatëse për çdo nxënës që reflekton sjellje dhune si dhe të hartimit të një programi të veçantë ndihme në bashkëpunim me prindërit dhe punonjësit socialë brenda datës 15 tetor 2014.

Sipas Ministrisë, ky program dhe realizimi i tij do të jetë pjesë e treguesve të arritjes për çdo mësues e drejtues shkolle si dhe në qendër të inspektimit të çdo shkolle në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat