Rama: Himara tokë shqiptare

Shqipëria

Rama: Himara tokë shqiptare

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 19:17

Në prag të votimit të reformës territoriale në seancën parlamentare, kryeministri Edi Rama dha një mesazh të qartë sa i përket rastit të Himarës.

Duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, Rama tha se Himara është tokë shqiptare dhe si e tillë do të trajtohet si çdo zonë tjetër e vendit.

“Himara është njësoj si Tropoja, Kavaja apo çdo zonë tjetër e Shqipërisë. Fakti që atje jeton një minoritet grek është një tregues që ai të integrohet. Himara ka qenë dhe është një krahinë shqiptare. Banorët Himarës, Dhërmiut dhe Palasës janë lebër dhe flasin shqip”, deklaroi Rama.

Nuk mungoi reagimi i zotit Dule, i cili tha se miratimi i reformës territoriale cënon të drejtat e minoritetit grek në Himarë.

“Në Himarë ekzistojnë pjesëtarë të minoritetit grek. Nga sa u tha duket qartë ajo që denoncova, tendencioziteti. Shkelen të drejtat e komuniteteve minoritare të parashikuara në Konventën Kuadër”, tha Dule duke artikuluar për herë të parë kërkesën për referendum me banorët e Himarës.

Ai i drejtoi edhe një mesazh kryeministrit kur tha: “Krenarë meritojnë të jenë jo ata që miratojnë ligje, por ata që i bëjnë të tjerët pjesë të jetës institucionale të një vendi”.

Në reagimin e tij, Rama mohoi çdo mundësi që përmes reformës t’u mohohen të drejtat minoriteteve. Edhe shefi i qeverisë i drejtoi një apel atij që deri në këto momente rezulton ende aleat i koalicionit qeverisës.

“Vangjel, kam vlerësuar inteligjencën tënde, por ti mos fyej timen. Nuk ka asnjë përpjekje për të kufizuar liritë dhe të drejtat e minoritetit grek në Himarë. Ne e kemi njohur praninë e tij atje dhe do ta respektojmë gjithmonë”, u përgjigj Rama.

“Tema e Himarës është e ndjeshme sepse e kanë bërë të tillë përpjekjet 23-vjecare të shumëkujt që ka dashur ta shohë Himarën si ajo që ajo nuk është. Ne parashikojmë zhvillimin e banorëve pa dallime etnike”, tha Rama.

Para replikës me zotin Dule, Rama foli për avantazhet që sjell reforma territoriale, duke saktësuar: “Kjo reformë përfshin shumë komunitete që aktualisht janë të përjashtuara nga sistemi arsimor. Na jep mundësi të transformojmë shërbimin e transportit, duke krijuar kushte që çdo fëmijë të shkojë në shkollë. E njëjta gjë vlen për shëndetësinë, mbështetjen sociale dhe sigurinë”.

Ai iu referua edhe rezultatit të zondazhit të publikuar një ditë më parë nga ministri i Pushtetit Vendor, që tregonte mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për këtë reformë.

“Populli shqiptar e mbështet masivisht këtë reformë. Nga sondazhi i pavarur rezulton se rreth 70 për qind mbështesin reformën territoriale. Përmes saj politikisht çlirohet qytetari zgjedhës sepse vota e tij për zgjedhjet vendore nuk kushtëzohet më nga faktorë që ushtrojnë presion”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat