A ishte ky avioni që po barte drogë nga Shqipëria?

Shqipëria

A ishte ky avioni që po barte drogë nga Shqipëria?

Më: 21 prill 2014 Në ora: 16:45

Një avion 2-vendësh qëndron prej 4 vitesh në hangarin e një bujku të zonës së Gjadrit. Prej dy vitesh e gjysmë, avioni nuk është ngritur më në fluturim. Paulini: Forcat e Policisë dhe Ushtrisë kanë bërë kontrolle të shumta. U bindën që nuk është në gjendje pune.

Historia me avionët e supozuar të drogës që ulen në Gjadër i ka prishur terezinë Paulinit, një bujk me shtëpinë pranë pistës rezervë të aerodromit. Një avion 2-vendësh me ngjyrë metalike “fle” në hangarin e tij prej vitesh, por kohët e fundit kontrollet e Ushtrisë dhe policisë kanë qenë të shumta. Paulini është i zoti i truallit ku është ndërtuar hangari për avionin e vogël.

Pronar i mjetit fluturues është R.D, një burrë nga Skrapari, që jeton në Tiranë. “Ta kisha ditur më përpara këtë histori, se një e dy do më vinin në shtëpi Policia e Ushtria, nuk do kisha pranuar”, – thotë Paulini, i cili duket i mërzitur nga pyetjet e vazhdueshme të zyrtarëve të Ushtrisë dhe policisë. Burri nga Gjadri merr megjithatë një qira modeste për strehimin e avionit, para këto që përmirësojnë disi jetesën e tij. Një grup hetimor ka zbarkuar aty pak muaj më parë, ku kanë kontrolluar hangarin dhe mjetin fluturues. Edhe këto ditë të ethshme debatesh për këtë çështje, vizitat nuk kanë munguar në shtëpinë e Paulinit. Burri rreth të 50-ve tregon se avioni është sjellë në Gjadër më shumë se 4 vite të shkuara. Prej më shumë se dy vitesh, ai nuk është ngritur asnjëherë në fluturim. Hangari i përshtatshëm për avionin e vogël është bërë strehë merimangash, çka tregon se asgjë nuk lëviz prej kohësh aty, shkruan mapo.al.
“Aty është gjithë merimanga. Erdhën i panë edhe ata të Ushtrisë dhe të Policisë. Më pyetën dhe iu dhashë përgjigje ato që dija. Iu tregova ato dokumente që ishin aty dhe më pas i telefonova pronarit të aeroplanit. Ai erdhi e iu dha letrat avionit që kishte, që nga koha kur e kishte sjellë në Shqipëri”, – tregon më tej bujku nga Gjadri. Edhe pse i bezdisur që duhet të shpjegojë shumë herë të njëjtën histori, Paulini duket i qetë. “Mund t’ju them se ai aeroplan ka fluturuar për herë të fundit këtu e dy vite të shkuara. Më shumë se dy vite e gjysmë”,- tregon burri i thinjur, shqetësimi i vetëm i të cilit duket humbja e qirasë. Por si ka përfunduar ky avion në hangarin e Paulinit? Katër vite të shkuara, i zoti i avionit e kishte dërguar atë në Gjadër dhe e kishte montuar aty. Inxhinier me profesion dhe i apasionuar pas fluturimeve, ai kishte marrë edhe dokumente për fluturim, të cilat tashmë kanë skaduar. I zoti i shtëpisë tregon më tej se prej dy vitesh aeroplani qëndron i palëvizur në hangar. “Disa muaj më parë erdhi këtu policia. Ikën pasi morën dëshminë time dhe ushtruan kontroll.

Edhe tani që doli kjo histori, erdhën dhe më pyetën. E panë edhe vetë ata se ky aeroplan nuk ishte në kushte për të fluturuar, sepse nuk ka as bateri”, – shton më tej ai. Paulini përsërit vazhdimisht se avioni nuk e ka parë dritën e diellit prej më shumë se dy vitesh. “Jam shumë i qetë në këtë drejtim dhe nuk kam aspak frikë, sepse s’jam ngatërruar asnjëherë me probleme. Ky avion ka dy vite e gjysmë që nuk fluturon më, që kur i kanë mbaruar letrat e fluturimit. Nuk e di se si mund të funksionojë, por ai nuk ka bateri fare. Unë thjesht e kam mbajt aty në garazh”, – shton më tej ai.

Paulini ka dëgjuar shumë këto ditë për historinë e avionëve që ulen në Gjadër. Por përveç mjetit të vogël që mban në hangarin e tij, nuk ka parë e dëgjuar për avionë të tjerë. “Se nga i kanë marrë këto lloj informacionesh, unë nuk e di, se që të ngrihet avioni nga Gjadri, merret vesh shpejt. Ata erdhën e verifikuan që ishte në grazhd aty, që nuk ishte në gjendje pune”,- përfundon më tej Paulini, si të hiqte një tjetër bezdi nga shpatullat. MAPO tentoi të kontaktojë më tej me pronarin e avionit të vogël, i cili preferoi të mos përgjigjej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat