Ish-drejtoresha e Filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, ka pretenduar gjatë dëshmisë së saj se kishte konstatuar probleme në administrimin e arkës dhe kishte kërkuar ndërhyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme.
Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtuan dëshmia e Elisabeta Matajt, gjetjet e auditimit të parë dhe të dytë, si dhe përplasjet mes drejtueses së filialit dhe punonjëseve të financës për mënyrën se si janë administruar dhe transportuar vlerat monetare.
Dokumentacioni i auditimit të parë kishte evidentuar shkelje në procedurat e transportit dhe administrimit të vlerave monetare që në janar të vitit 2026. Sipas materialit, pavarësisht rekomandimeve për marrjen e masave ndaj personave përgjegjës, nuk ishin ndërmarrë masa disiplinore ndaj arkëtares dhe shefes së Financës deri në qershor. Më pas, pas mbylljes së auditimit, disa punonjëse dhanë dorëheqjen, ndërsa drejtuesja dhe vartëset e saj dhanë versione të ndryshme për përgjegjësinë mbi paratë që mungonin.
Pjesë nga dokumentari:
Por çfarë ishin këto para që mendohet se ishin përvetësuar nga fondi i Filialit të Postës së Durrësit?
Ku sipas gjetjeve të Prokurorisë së Durrësit të përfshirë, janë drejtoresha e filialit të Postës së këtij qyteti, Elisabeta Mataj, shefja e financës, Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.
Të cilat nëpërmjet përpilimit të dokumentacionit fiktiv, nëpërmjet mandat pagesave për degët Shijak dhe Krujë, dyshohet se kishin përvetësuar shumën e 69 000 000 lekëve nga filiali i Postës Shqiptare Durrës.
Sipas grupit hetues këto vlera të mëdha monetare të cilat janë përvetësuar shërbenin për t’u paguar për ndihmën ekonomike dhe pagesa të tjera sociale.
Elisabeta Mataj e cila e kishte marrë detyrën e Drejtoreshës së Postës të Filialit Durrës, në fund të muajit tetor të vitit 2025.
E cila gjatë dëshmisë së saj u mbrojt me faktin se ishte ajo që kishte gjetur dhe konstatuar shkelje në organizimin e punëve në filialin e Postës së Durrësit, gjatë kohës që ishte emëruar aty.
Madje për këtë kishte informuar edhe administratorin e Postës Shqiptare.
Elisabeta Mataj
‘Më datë 3 Mars 2026 kam shkuar dhe kam takuar personalisht Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare, ku i kam bërë me dije se në arkën e postës, filiali Durrës ka probleme që lidhen me futjen e personave të paautorizuar.
Kryesisht përgjegjësja e Financës hyn e del kur do dhe tërheq shuma monetare, pa e pasur këtë atribut, ndaj i kam kërkuar të sjellë një grup kontrolli.
Po kështu më datë 5 Mars 2026 pas kryerjes së kontrollit (pa ardhur ende relacioni i kontrollit), i cili është bërë nga Njësia e Menaxhimit dhe Vlerësimit të Rrezikut operacional, i kam nisur nëpërmjet postës elektronike znj.J.Sh një informacion lidhur me shtetasen Paola Dana, arkëtare e thesarit, ku e kam informuar se: kjo e fundit kryen veprime për marrje fondi vetëm tek Banka C***** e shoqëruar me blind, ndërsa veprimet në banka të tjera, konkretisht tek B** kryhen nga shefja e financës pa blind shoqërues dhe pa informuar shefin e sigurisë në filial’.
Por nga sa shikohet ky audit i përket periudhës kohore Janar 2026.
Dhe jo Mars-Maj 2026, ku u gjetën shkelje nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës.
Pavarësisht se edhe në auditin e parë të kërkuar nga drejtoresha e Postës Durrës, Elisabeta Mataj, janë gjetur të njëjtat shkelje, të ngjashme me ato të kryera në auditin e dytë.
Auditi i Parë
Gjatë auditit u konstatua se procesi i transportit të vlerave monetare kryhej përmes një thesi të papajisur me kod sigurie (plumbçe/vulë).
Ky veprim përbën thyerje të rëndë të protokollit, pasi bën të pamundur garantimin e paprekshmërisë së vlerave gjatë lëvizjes së tyre.
Nga këqyrja e pamjeve filmike të datës 14 Janar 2026 dhe verifikimi i procedurave, rezulton se Përgjegjësja e Financës ka marrë dhe ka nxjerrë jashtë arkës dhe ka çuar në zyrën e saj vlera monetare, gjithashtu xhirimet e bankave të tjera i ka kryer në mënyrë të pavarur që është përtej detyrave funksionale që ka dhe jashtë procedurave që duhet të ndiqen për sistemin e arkëtimit zyrtar dhe në kundërshtim me rregulloren për menaxhimin e likuiditetit.
Sipas auditit të parë të kryer në Filialin e Postës së Durrësit, ky akt është kryer në bashkëpunim me arkëtaren.
Nga ku u konstatua se arkëtarja kryente dorëzimin e kartëmonedhave të dëmtuara pranë institucioneve bankare në kundërshtim të plotë me rregulloren financiare.
Dhe se dorëzimi i këtyre vlerave bëhej pa u pajisur me mandat-arkëtimi ose dokumentacion vërtetues nga banka, duke u bazuar vetëm mbi ‘mirëbesimin’.
Auditi i parë
Gërshetimi i faktorëve të mësipërm, si aksesi i personave të paautorizuar në arkë, dorëzimi i parave pa faturë nga arkëtarja, mungesa e kodeve të sigurisë në thes, dorëzimi i këtyre vlerave, bëhet pa u pajisur me mandat-arkëtimi ose dokumentacion vërtetues nga banka dhe dërgimi i xhirimeve bankare nga Shefja e Financës, krijon një mjedis me rrezikshmëri të lartë për vjedhje, abuzim dhe keqpërdorim të fondeve.
Në lidhje me të gjithë këto shkelje të konstatuara Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare i kishte rekomanduar Filialit të Postës Durrës, marrjen e masave ndëshkuese ndaj personave përgjegjës.
Ndërkohë që nga ajo që mësohet është se në këtë kohë llogaritarja e parë kishte dhënë dorëheqjen.
Por nga ajo që vihet re është se drejtoresha e Filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, nuk ka ndërrmarrë asnjë masë disiplinore ndaj arkëtares dhe shefes së financës, kjo deri më datë 23 qershor 2026.
Por përkundrazi dhe në mënyrë të habitshme sikundër zbuloi auditi i dytë i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj, vetëm bashkëpunon me arkëtaren dhe shefen e Financës.
Elisabeta Mataj
23 Qershor 2026
Korespondenca me Postën Shqiptare
Në lidhje me rekomandimet për masat që duhet të merren për personelin e Sektorit të Financës në Filialin Durrës, iu bëjmë me dije se llogaritarja e parë ka paraqitur dorëheqjen nga puna.
Për arkëtaren kemi dërguar propozimin në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore për kalimin në një pozicion tjetër, ndërsa për Përgjegjësen e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse jemi në pritje të rekrutimit të elementëve të duhur, pasi do të përbënte problem në mbarëvajtjen e punës ndryshimi i njëkohshëm i arkëtares, llogaritares së parë dhe përgjegjëses së Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse.
Nisur nga të gjitha veprimet e mësipërme, korrespondencës së vazhdueshme me Drejtorinë e Përgjithshme dhe strukturave përkatëse, qoftë nëpërmjet shkresave, ashtu edhe nëpërmjet takimeve apo postës elektronike, theksojmë se nga ana e strukturave përgjegjëse nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Ashtu si në rastet e mëparshme, edhe këtë herë Elisabeta Mataj, u mbrojt duke ia hedhur fajin arkëtares, Paola Danaj.
Drejtoresha e Filialit të Postës Durrës që tha se i kishte kërkuar ndihmë edhe strukturave përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme, për zgjidhjen e situatës.
Si dhe kishte insistuar sipas saj të kontaktonte disa herë nëpërmjet telefonit me shefin e kabinetit, por që ky i fundit nuk i ishte përgjigjur.
Elisabeta Mataj
‘Në fillim të muajit korrik, arkëtarja Paola Dana u paraqit në zyrën time, për të firmosur mandatet e arkëtimit.
Ku kam konstatuar që mandatet ishin të muajit maj.
Në këto kushte ndërpreva nënshkrimin.
Gjatë kohës që po ndiqja nënshkrimin e mandateve të arkëtimit, mësova që Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse kishte dhënë dorëheqjen.
Nisur nga veprimet e konstatuara më herët, si dhe fakti që më kishin sjellë për nënshkrim mandate arkëtimi të muajve më parë, si dhe që ishte larguar llogaritarja e parë, si dhe kishte dhënë dorëheqjen Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse,
unë dyshova se diçka kishte ndodhur dhe po kërkonin të mbulonin veprime të kryera më parë.
Veprime këto që kanë ndodhur në momentin e mbylljes së kontrollit nga auditi më datë 3 Korrik 2026.
Ditë kur ka dhënë dorëheqjen edhe shefja e Financës Valbona Duni.
Siç shikohet Filiali i Postës Durrës është përfshirë në një situatë kaotike.
Me dorëheqje të njëpasnjëshme, ku të gjithë ia vënë fajin njëri tjetrit.
Ashtu sikurse Elisabeta Mataj, vartëseve të saj.
Por fakt është që në Postën e Durrësit mungojnë paratë.
Madje mungojnë shumë të mëdha parash.
Elisabeta Mataj
‘Në hijet e dyshimit, unë nuk kam nënshkruar më asnjë mandat arkëtimi, por menjëherë kam kontaktuar nëpërmjet telefonit znj.Edlira Përfundi, e cila është Drejtoreshë e komanduar e Drejtorisë Ekonomike në Drejtorinë e Përgjithshme dhe këshilltare e Administratorit të Postës Shqiptare, duke i bërë me dije që më është larguar llogaritarja e parë, dhe ka dhënë dorëheqjen Përgjegjësja e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, direkt pas mbylljes së punës së auditit.
Ku i kam kërkuar të vijë të marrë në dorëzim punën e financës, pasi vetë nuk ishte eksperte finance, pasi m’u komunikua që ta merrja vetë në dorëzim punën.
Znj. Përfundi erdhi për kontroll sëbashku me Përgjegjësen e Sektorit të Financës dhe një specialiste kontabiliteti më datë 9 Korrik 2026.
Po në këtë datë u mbajt procesverbal mbi kontrollin e kryer, ku ndër të tjera u konstatua se ka diferencë midis gjendjes fizike me gjendjen kontabël.
Por shefja e financave Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, bëjnë fajtore për tërheqjen e parave, Drejtoreshën e Filialit Durrës, Elisabeta Mataj.
E cila nga ana e saj nuk e ka pranuar këtë akuzë të vartëseve të saj.