Një sasi lënde plasëse, dyshohet tritol, është gjetur e pashpërthyer mbrëmjen e kaluar në qytetin e Shkodrës. Lënda plasëse është konstatuar në portën e jashtme të banesës së Emiljan Gjonajt, në lagjen “Mark Lula”.
Pas konstatimit të saj, është njoftuar policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë.
Zona është vënë nën kontroll, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe ekspertët gjenio për trajtimin e lëndës plasëse, me qëllim shmangien e çdo rreziku për banorët dhe personat që ndodheshin pranë objektit.
Shtetasi Emiljan Gjonej sipas burimeve nga vendngjarja merret me ndërtim dhe aktualisht një pallat në lagjen “Mark Lula” është duke u ndërtuar nga ana e tyre dhe ka dyshime se ngjarja lidhet pikërisht për shkak të ndërtimeve.
Fakti që lënda plasëse nuk ka shpërthyer ka shmangur pasoja të mundshme, ndërsa mbetet për t’u zbardhur se si është vendosur ajo në portën e jashtme të banesës dhe kush fshihet pas këtij veprimi.
Policia po heton rrethanat e ngjarjes, ndërsa një nga pistat që po verifikohet është edhe se vendosja e tritolit ka qenë një kërcënim.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar që nuk janë zbuluar ende.