Shisnin drogë pranë shkollave dhe në hapësira publike, arrestohen 13 persona në Shkodër

Shqipëria

Shisnin drogë pranë shkollave dhe në hapësira publike, arrestohen 13 persona në Shkodër

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 10:27
Fotoilustrim

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për një periudhë 3-mujore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”

Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria për 13 shtetas të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, konkretisht:

-F. G., 39 vjeç, I. T., 35 vjeç, S. K., 25 vjeç, L. M., 18 vjeç, të katërt banues në Shkodër dhe me precedent kriminal për prodhim dhe shitje të narkotikëve;

-Q. G., 36 vjeç, M. P., 21 vjeç, L. D., 28 vjeç, E. M., 20 vjeç, E. F., 21 vjeç, E. F., 23 vjeç, Gj. K., 21 vjeç dhe M. Gj., 18 vjeç, të gjithë banues në Shkodër;

-A. S., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, të organizuar në disa grupe, shitnin lëndë narkotike në doza, pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike në qytetin e Shkodrës.

Gjatë kontrolleve në banesat e shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e saj të ndarë në doza dhe të ambalazhuar në qese farmaceutike, 3 peshore elektronike dhe qese farmaceutike për ndarjen dhe paketimin e lëndës narkotike në doza. Këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 automjete dhe 14 celularë, që dyshohet se janë përdorur për këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat