Nga trafiku ndërkombëtar i drogës te përfshirja e zyrtarëve të policisë, SPAK jep detaje për operacionin: 4 në pranga, 6 në kërkim

Shqipëria

Nga trafiku ndërkombëtar i drogës te përfshirja e zyrtarëve të policisë, SPAK jep detaje për operacionin: 4 në pranga, 6 në kërkim

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, pastrim parash, janë vetëm disa prej veprave të rënda penale që rëndojnë mbi 11 persona. Bëhet fjalë për operacionin e nisur një natë më parë nga SPAK, që deri më tani ka çuar në pranga 4 persona. Të arrestuarit janë Erzen Berçani, Besmir Murati, Dedan Gjoni dhe Bujar Ajeti (Gërmizi). Ndërsa në kërkim janë shpallur 6 të tjerë: Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Albert Prenga, Bajram Grabova, Eralbi Breçani, Ervin Mata. Për pjesëtaren e 11 të këtij grupi, oficeren e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit Jonida Babameto u caktua masa e detyrimit të paraqitjes.

Në një njoftim zyrtar për mediat, SPAK tha se hetimet për grupin në fjalë, pjesëtarët e të cilit akuzohen se janë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë u kryen në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

“Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë. Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri. ”

Gjatë hetimeve SPAK thotë se është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

“Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;  Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021; Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani; Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani; Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë; Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë; Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.”

Prokuroria e Posaçme thekson në njoftim se “janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale”.

Gjatë operacioni janë ushtruar kontroll në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat