Vettingu në politikë, Basha: Nisma të konsultuara me qytetarët, për t’u dhënë fuqinë të zgjedhin deputetin dhe qeverinë që duan

Shqipëria

Vettingu në politikë, Basha: Nisma të konsultuara me qytetarët, për t’u dhënë fuqinë të zgjedhin deputetin dhe qeverinë që duan

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 11:13
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal sërish te vettingu në politikë, ndërsa theksoi se të gjitha këto janë nisma të konsultuara me qytetarët.

Basha theksoi se kjo bëhet për t’i dhënë fuqi të zgjedhin deputetin dhe qeverinë që duan.

REAGIMI I BASHES

Gjatë kësaj jave Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar disa nisma shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë 🇦🇱.

Shqipëria renditet mes vendeve më te korruptuara, çka ka ndikuar në zhvillimin ekonomik dhe emigrimin masiv të shqiptarëve.

Një vend nuk mund të ketë një korrupsion kaq të përhapur, pa politikanë të korruptuar. Shqipëria prej kohësh po vuan dhe nga një plagë tjetër, që është lidhja e politikës me krimin, inkriminimi i pushtetit, kontrolli i vendimarrjes nga krimi. Prandaj është koha që, ashtu siç bëmë me dekriminalizimin, të hedhim një hap tjetër shumë të rëndësishëm për pastrimin e politikës, me vetting-un politik. Përtej sulmeve të përditshme, llumit të pakufi që hidhet në arenën e debatit politik dhe mediatik, shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush është i korruptuar e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo.

Është koha të tregojmë vullnet dhe përgjegjshmëri para shqiptarëve.

Përveç kësaj, Partia Demokratike depozitoi në Komisionin për Reformen Zgjedhore propozimet për:

1️⃣ Listat e hapura;
2️⃣ Shqipëria 1 zonë zgjedhore;
3️⃣ Votën e diasporës.

Me këto propozime, listat e kandidatëve për deputetë çlirohen nga kontrolli i kryetarëve të partive, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejtë deputetin që duan dhe duke rikrijuar lidhjen ndërmjet votuesit dhe deputetit, të cilat u shkëputën nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Përmes propozimit Shqipëria 1 zonë zgjedhore krijohet barazia e votës së qytetarëve duke eliminuar difererencat ndërmjet qyteteve të ndryshme. Kështu vota do të ketë të njëjtën vlerë, si për qytetarin e Kukësit dhe të Fierit, të Tiranës dhe të Vlorës. Me propozimin për votën e diasporës, u kthejmë, pa asnjë kufizim, shtetasve shqiptarë me qëndrim të përhershëm, apo të përkohëshëm jashtë Shqipërisë, të drejtën e tyre kushtetuese të zgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend. Në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shqiptarët jashtë Shqipërisë do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë.

Këto nisma, të cilat ne i kemi konsultuar paraprakisht me qytetarët, kanë një mbështetje maksimale, prandaj tani është momenti që dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve ta shndërrojmë në ligj për t’u dhënë atyre fuqinë e vërtetë në përcaktimin e deputetëve dhe qeverisë së ardhshme.

#partiademokratike #ndërtojmëtëardhmen

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat