A ka përgjegjësi shteti për “turistët” në Gramsh dhe Poliçan?

Shqipëria

A ka përgjegjësi shteti për “turistët” në Gramsh dhe Poliçan?

Nga: Ekrem Spahiu Më: 28 gusht 2022 Në ora: 18:08
Autori Ekrem Spahiu

Në funksionin e zv/ministrit të mbrojtjes përgjatë viteve 2009-2013, i ngarkuar posaçërisht për zbatimin e projektit të demontimit të municioneve të tepërta dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura, pata mundësinë të njoh mirë rëndësinë e tre uzinave ushtarake në Poliçan, Mjekës dhe Gramsh.

 

Të tria uzinat, të njohura në kohën e vet për potencialet si njësi prodhimi, u bënë po aq të njohura edhe për potencialet e demontimit të armëve dhe municioneve të tepërta e jashtë nevojave të FA, duke u kthyer në njësi po aq të rëndësishme për sigurinë e vendit nga municionet e armatimet shumë të vjetëruara, e kështu, shumë të rrezikëshme.     

 

Si të tilla, ato uzina ishin dhe mbetën pjesë e rëndësishme e infrastrukturës ushtarake të vendit dhe për këtë arsye, u disiplinuan ligjërisht në planin përkatës të përhapjes së FA, duke u siguruar e ruajtur me personelin, mjetet, procedurat dhe standardet përkatëse.

 

Rreth dhjetë vjet pasi ka përfunduar me sukses ky proces, marrim vesh se në ‘to hyjnë deri edhe “turistë” të huaj, të cilët, pasi fotografojnë lirshëm, “u ndalkan” nga shërbimi i sigurisë dhe madje paskan edhe guximin e mjetet për t’u konfrontuar e për t’i qorruar rojet!

 

Shqipëria është një vend i lirë dhe i hapur, madje ka bilance pozitive pritjesh turistike, çka sigurisht i bën mirë vendit, prestigjit dhe ekonomisë së tij.

 

Por nuk ka asnjë shtet në botë, që turistët, kushdoqofshin e ngado që të vijnë, të mos identifikohen nëse, nën mbulesën e turizmit, nuk fshihen elementë terroristë, kriminelë, trafikantë, agjentë të shërbimeve të vendeve armiqësore me Shqipërinë, etj. Për më tepër, Shqipëria, kuadri i sigurisë kombëtare të së cilës është i lidhur me kuadrin e sigurisë së NATO dhe BE-së, çka do të thotë se vendi ynë, krahas sigurisë së vendit, ka edhe detyrime të ndërsjellta sigurie kolektive.

 

Rreziqet ndaj sigurisë së vendit dhe asaj të Aleancës janë bërë më të lexueshme sidomos pas agresionit rus në Ukrainë. Prandaj edhe analiza, vlerësimi dhe kundërveprimi ndaj tyre është bërë më evident.

Shteti dhe taksapaguesi shqiptar kanë angazhuar një dyzinë organesh ligjzbatuese për këtë qëllim, siç janë: Shërbimi Informativ Kombëtar, Policia e Shtetit, Policia Kufitare, Shërbimi Informativ Ushtarak, Policia Ushtarake, për të mos përmendur të tjera, të cilat, duhet të filtrojnë dhe kështu të parandalojnë aktivitetin e shërbimeve të huaja armiqësore në Shqipëri.

Sigurisht një apo tre uzina ushtarake, tashmë me një status pothuajse simbolik si të tilla, në një kuptim, nuk përbëjnë sekrete që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare.

Por ato përbëjnë sekrete për aq sa janë pjesë e infrastrukturës ushtarake, për aq sa sigurohen si të tilla me kapacitete njerëzore e teknologjike, pra, për aq sa janë objekte ushtarake dhe jo muzé për vizita turistike. Në këtë kuptim të dytë, harta e objekteve ushtarake të vendit, ku përfshihen edhe uzinat ushtarake, sigurisht që përbën sekret.

Në fund të fundit, e gjithë çështja e shumëpërfolur e “turistëve” në Gramsh dhe Poliçan qëndron pikërisht këtu: si i angazhon shteti organizmat e shumta të sigurisë kombëtare ndaj rreziqeve që i kanosen aseteve shtetërore dhe në këtë kuadër, ndaj hartës së objekteve ushtarake.

 

* ish zv/ministër i mbrojtjes

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat